Spanja shkatërron fermën më të madhe të marihuanës në Evropë

Evropë

Spanja shkatërron fermën më të madhe të marihuanës në Evropë

Më: 13 prill 2022 Në ora: 22:50
Foto ilustrim

Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar 415 mijë kërcell marihuanë me vlerë rreth 100 milionë euro, duke thënë se është plantacioni më i madh i drogës në Evropë.

Gati 50 ton bimë u thanë në një depo të përpunimit CBD, një përbërës që përdoret gjithnjë e më shumë për të trajtuar ankthin, pagjumësinë dhe sëmundje të tjera, sepse nuk është psikoaktiv.

Plantacioni, i vendosur në rajonin verior rural të Navarras, shtrihej në 11 fusha me një sipërfaqe totale prej 67 hektarësh, tha garda civile spanolle.

Shitja e CBD dhe përdorimi i saj është i ligjshëm në Spanjë dhe në pjesën më të madhe të Evropës, por ligji spanjoll ndalon kultivimin e marihuanës me përjashtim të përdorimit industrial, siç është industria e tekstilit dhe e farës. Kultivimi për prodhimin e CBD dhe derivateve të tjera është një vepër penale.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona. Operacioni filloi në mesin e vitit të kaluar kur policia zbuloi njërën nga fushat.

Garda Civile tha se pronari i plantacionit fillimisht pretendoi se drejtonte një biznes të ligjshëm për të prodhuar marihuanë për qëllime industriale, por më vonë u zbulua se kishte planifikuar të eksportonte sasi të mëdha të bimës në Itali dhe Zvicër për të prodhuar CBD. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat