​Ministri gjerman: Uniteti i BE-së për sanksionet ndaj Rusisë po shembet

Evropë

​Ministri gjerman: Uniteti i BE-së për sanksionet ndaj Rusisë po shembet

Më: 29 maj 2022 Në ora: 20:51
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck shprehu sot shqetësim për rënien e unitetit të Bashkimit Evropian përpara një samiti për të diskutuar embargon ruse të naftës dhe një plan për t'i dhënë fund varësisë nga energjia ruse.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të hënën dhe të martën për të diskutuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e cila mund të përfshijë një embargo të naftës dhe një program që synon përshpejtimin e ndërprerjes së varësisë nga karburantet fosile, përfshirë gazin rus.

“Pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, ne pamë se çfarë mund të ndodhë nëse Evropa është e bashkuar. Shpresojmë që uniteti do të tregohet në samitin e nesërm, edhe pse ai tashmë ka filluar të shembet”, tha Habeck në një konferencë për shtyp.

Vendet evropiane të premten u përpoqën të arrinin një marrëveshje për një embargo mbi dërgesat detare të naftës ruse duke lejuar dërgesat me tubacione, si një kompromis që mund të fitonte Hungarinë dhe të zhbllokonte sanksionet e reja të vendosura ndaj Moskës.

Habeck i bëri thirrje Gjermanisë që të flasë me një zë në samit, në vend që të abstenojë nga votimi për shkak të dallimeve të opinioneve brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë. Ai bëri thirrje gjithashtu për një unitet të ngjashëm të vendeve anëtare të BE-së.

“Evropa është ende një zonë e madhe ekonomike me fuqi të jashtëzakonshme ekonomike. Kur të jetë e bashkuar, mund ta përdorë atë fuqi”, tha Habeck në hapjen e Panairit të Hanoverit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat