Kristiandemokratët europianë zgjedhin gjermanin Manfred Weber

Evropë

Kristiandemokratët europianë zgjedhin gjermanin Manfred Weber

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 09:10
Manfred Weber

Kryetari i ri i Partive Popullore Europiane (EPP) vjen këtë herë nga Gjermania, politikani kristiandemokrat Manfred Weber. Mos vallë ky post i ri është trampolina për një ngjitje tjetër në karrierë?

Manfred Weber do të jetë në të ardhmen në krye të familjes më të madhe europiane të partive konservatore, EPP. 49-vjeçari nga Gjermania të martën në mbrëmje (31.05) u zgjodh në kongresin e EPP në Roterdam të Holandës pa asnjë konkurrent me 89 përqind të votave si president i organizatës kristiandemokrate, ku bëjnë pjesë edhe partitë simotra gjermane të Unionit Kristiandemokrat CDU dhe atij kristiansocial, CSU.

Humbje të ndjeshme

Weber do të zëvendësojë ish-presidentin e Këshillit të BE-së, polakun Donald Tusk, i cili këtej e tutje do të përqendrohet sërish në politikën kombëtare. Qëllimi që ka deklaruar Weber është, që t'i japë sërish më shumë rëndësi EPP. Kristiandemokratët së fundi kanë pësuar humbje të ndjeshme - si p.sh. në zgjedhjet për Bundestagun në Gjermani apo në zgjedhjet presidenciale në Francë.

Edhe vende të tjera të rëndësishme të BE-së ndërkohë nuk qeverisen nga kristiandemokratët. Në Itali e drejton qeverinë Mario Draghi i paparti, Spanja qeveriset nga socialdemokrati Pedro Sánchez dhe Holanda nga liberali Mark Rutte. Vetëm pak vende të BE-së qeverisen nga kristiandemokratë. Ndër shtetet me qeveri konservatore është Austria si vendi më i fuqishëm ekonomisht në këtë grup vendesh.

Në fjalimin e tij për zgjedhjen në këtë post, Weber theksoi, se EPP është partia e shtetit ligjor të Europës. Vetëm EPP garanton një ekonomi sociale tregu. Ai kritikoi ashpër qeverinë gjermane. Kancelari socialdemokrat, Olaf Scholz, sipas Weber, për shkak të rrjeteve të fuqishme të afërta me Rusinë në radhët e SPD-së, ndër ta edhe ish-kancelari Gerhard Schröder, "nuk po demonstron vullnet, vendosmëri dhe lidership".

Image
Bashkimi Evropian

Kthim në Bavari?

Weber drejton që nga viti 2014 grupin parlamentar të EPP në Parlamentin e BE-së. Si kandidati kryesor i familjes së partisë së tij në zgjedhjet më 2019 dështoi të bëhej president i Komisionit të BE-së. Mendohet se ndoshta posti në EPP për Weber mund të jetë edhe një stacion i ndërmjetëm për kthimin në atdheun e tij, në Bavari. Kryetari i CSU-së dhe kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Söder, kohët e fundit ka pasur rënie në sondazhe.

Ndonëse Weber thekson, se është "një europian me gjak e zëmër", ai nuk e përjashton një kandidaturë në Bavari. Ai tha, se kjo pyetje tani nuk shtrohet. Söder e vlerësoi Weber-in qysh përpara zgjedhjes në këtë post si një europian të madh. "Ne jemi krenarë dhe gëzohemi shumë për të."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat