Marshi i njëqindtë në Cetinë në mbështetje të Ukrainës

Evropë

Marshi i njëqindtë në Cetinë në mbështetje të Ukrainës

Më: 3 qershor 2022 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Në ditën e njëqindtë të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, më 3 qershor, u mbajt marshi i njëqindtë protestues i qytetarëve të Cetinës, në mbështetje të Ukrainës.

Qytetarët mbanin pankarta “Ukraina është Termopile e Evropës”, “Kjo luftë ka të bëjë me secilin prej nesh”, “Kaltër-verdhë dhe jo bota ruse-serbe”, si dhe fjalët e shkrimtarit Andrei Nikolaidis “Qëndrimi ndaj Ukrainës është test etik i kohës tonë”.

Cetina është i vetmi qytet në Ballkan, por edhe në Evropë, ku çdo ditë organizohen tubime në mbështetje të Ukrainës, ku pjesëmarrësit lyejnë çdo ditë një pllakë në Sheshin e Pallatit, me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një nga organizatorët e tubimeve, Stefan Todoroviq, marshet mbështetëse të deritanishme do të marrin një koncept të ri.

“Grupet joformale do të formohen për të ofruar një formë të re ndihme për popullin ukrainas në bashkëpunim me Ambasadën e atij vendi. Ajo do të përfshijë integrimin e refugjatëve ukrainas në shoqërinë malazeze, organizimin e aksioneve humanitare, manifestimeve dhe ngjarjeve kulturore, artistike dhe edukative”.

Ndaj, siç paralajmëroi ai, marshet në të ardhmen do të organizohen më datën 24 të çdo muaji.

Në marshin protestues të njëqindtë, qytetarëve të Cetinës u janë bashkuar edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Ukrainës dhe qytetarët e atij vendi, të cilët po qëndrojnë në Mal të Zi.

“Për më shumë se tre muaj, Ukraina është duke u mbrojtur heroikisht nga sulmi brutal i Federatës Ruse, duke paguar shtrenjtë jo vetëm për lirinë dhe pavarësinë e saj në luftën kundër agresorëve, por edhe për lirinë e të gjithë Evropës dhe për vlerat demokratike të botës së qytetëruar”, tha ambasada e Ukrainës në Mal të Zi, në prag të protestës.

Në shenjë mirënjohjeje për ndihmën nga Mali i Zi dhe popullin e tij mik, veçanërisht për pjesëmarrësit në marshet e mbështetjes për Ukrainën, që mbahen çdo ditë në Cetinë që nga fillimi i luftës, Ambasada e Ukrainës zgjodhi selinë e Malit të Zi për të shënuar një datë simbolike – ditën e njëqindtë të luftës në Ukrainë, thuhet në njoftim.

Me rastin e ditës së njëqindtë të pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Judy Rising Reinke u bëri thirrje të gjithë qytetarëve paqësorë të Malit të Zi që të solidarizohen me Ukrainën dhe të dënojnë Rusinë për brutalitetin e pamëshirshëm ndaj populli ukrainas.

“Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës armët dhe pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur dhe do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë humanitare për ata që janë prekur nga lufta brutale dhe e pakuptimtë e Kremlinit”, tha Reinke në një tekst autorial, më 3 qershor.

Rusia aktualisht ka pushtuar rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe në mesin e qytetarëve të saj që u dërguan me forcë në Rusi, janë rreth 200,000 fëmijë, tha më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai vlerësoi se situata në lindje të vendit është shumë e vështirë, se linjat e betejës shtrihen për më shumë se 1000 kilometra dhe se Ukraina i humbë deri në 100 ushtarë në ditë.

Në fund të majit, qeveria ukrainase vlerësoi se që nga fillimi i agresionit ushtarak në atë vend, Rusia ka humbur më shumë se 30,000 ushtarë.

Rreth 6.8 milionë njerëz u larguan nga Ukraina për shkak të pushtimit rus./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat