Britani, Kryeministri Johnson përballet me mocion besimi brenda partisë së tij

Evropë

Britani, Kryeministri Johnson përballet me mocion besimi brenda partisë së tij

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 17:32
Boris Johnson

Partia Konservatore në pushtet në Britani voton sot për një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit Boris Johnson, që mund ta largojë atë nga posti. Nëse zoti Johnson humbet në votimin e 359 ligjvënësve konservatorë, ai do të zëvendësohet si udhëheqës i partisë dhe si kryeministër.

Mekanizmi i votëbesimit aktivizohet në rast se 15% e grupit të ligjvënësve konservatorë e kërkojnë votimin me shkrim. Zyrtari i partisë Graham Brady njoftoi se ai kishte marrë njoftim me shkrim nga një numër i mjaftueshëm ligjvënësish dhe se votimi do të zhvillohej brenda ditës.

"Pragu prej 15% i grupit parlamentar që parashikon votim besimi për kryeministrin është kaluar. Prandaj, votimi do të zhvillohet sipas rregullave parlamentare të partisë", tha Graham Brady, zyrtar i grupit parlamentar konservator.

Zoti Brady shtoi se kishte njoftuar Kryeministrin Johnson, i cili ishte shprehur dakord që votimi të organizohej sa më parë. Zëdhënësi i kryeministrit britanik njoftoi se ai do të mbante një fjalim përpara grupit parlamentar konservator përpara se të mbahej votimi për të.

Nëse zoti Johnson humbet, ai do të zëvendësohet si udhëheqës konservator dhe si kryeministër i vendit. Për të fituar atij i duhet një shumicë e thjeshtë, 180 vota. Nëse kjo ndodh ndaj tij nuk mund të ngrihet një sfidë tjetër brenda partisë për një periudhë njëvjeçare.

Disa prej ministrave kryesorë, ndër ta edhe ministrja e jashtme Liz Truss, shprehën sot në Twitter mbështetjen për Kryeministrin Johnson, duke vënë madje në dukje arritjet e tij që rezultuan me dhënien fund të kufizimeve për pandeminë dhe vaksinimin masiv të popullsisë.

"Do të ofrojë një përgjigje. Ose partia do të ketë besim tek udhëheqja, ose jo. Kjo është pyetja të cilës i përgjigjen kolegët e mi sot", tha zoti Brady.

Zoti Johnson hasi në vështirësi për të lënë pas muaj të tërë skandalesh për shkelje të rregullave, në veçanti për festat në godinat qeveritare gjatë masa izoluese për COVID-19.

Pas publikimit të një raporti për shkeljen e rregullave gjatë periudhës së masave izoluese, zoti Johnson ishte shprehur se duhej të vazhdohej puna duke u përqëndruar në përgjegjësi të tjera, si tek lufta në Ukrainë dhe rritja e kostos së jetesës në Britani.

Por një numër gjithnjë e në rritje konservatorësh mendojnë se zoti Johnson, një udhëheqës karizmatik që u dhuroi një fitore të rëndësishme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, është shndërruar tashmë në një pikë të dobët.

Nëse do të largohej zoti Johnson nga pozicionet drejtuese, kjo do të sillte një konkurrim për postet drejtuese të konservatorëve, ku pritet të marrin pjesë disa prej ministrave më të rëndësishëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat