Bjellorusia shton në listën e terroristëve aktivistin e burgosur të opozitës dhe korrespondentin e REL-it

Evropë

Bjellorusia shton në listën e terroristëve aktivistin e burgosur të opozitës dhe korrespondentin e REL-it

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 18:37
Një video-bloger i njohur, Syarhey Tsikhanouski synonte të kandidonte për president, por u skualifikua dhe u arrestua para votimit në gusht 2020.

Shërbimi i Sigurimit të Bjellorusisë (KGB) ka shtuar 23 persona në listën e saj të terroristëve, duke përfshirë bashkëshortin e burgosur të lideres së opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya, Syarhey Tsikhanouski dhe konsulentin e Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik.

Vendimi i KGB-së më 28 qershor e çon numrin e përgjithshëm të personave në regjistrin e saj zyrtar të terroristëve në 870 persona.

Tsikhanouski dhe Losik u dënuan në dhjetor respektivisht me 18 dhe 15 vjet burg për akuzat e organizimit të trazirave masive, nxitjes së urrejtjes sociale, pengimit të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizimit të aktiviteteve që prishnin rendin shoqëror.

Të dy i mohuan akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht.

Grupet e të drejtave të njeriut i konsiderojnë ata dhe katër persona të tjerë që u dënuan në gjyqe me dyer të mbyllura në qytetin juglindor të Homel, si të burgosur politikë.

“Ky përshkallëzim është një abuzim flagrant i autoritetit të shtetit dhe nënvizon paligjshmprinë e regjimit të Lukashenkas për gazetarët që ekspozojnë të vërtetën”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë Jamie Fly në një deklaratë, duke iu referuar liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Iharit nga burgu në mënyrë që ai të mund të ribashkohet me gruan dhe vajzën e tij”, shtoi Fly.

Goditja ndaj lëvizjes pro-demokratike është intensifikuar që kur shpërthyen protestat masive pas rizgjedhjes së Lukashenkas në gusht 2020, zgjedhje të cilat nuk janë njohur nga opozita dhe Perëndimi.

Një video-bloger i njohur, Tsikhanouski synonte të kandidonte kundër Lukashenkas, por u s’kualifikua dhe u arrestua përpara votimit.

Tsikhanouskaya më pas mobilizoi votuesit dhe fitoi zgjedhjet, sipas opozitës dhe vendeve perëndimore që thonë se Lukashenka manipuloi rezultatet.

Tsikhanouskaya ka jetuar në Lituani që kur u largua nga Bjellorusia për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj dhe të dy fëmijëve të çiftit./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat