Kush mund të jetë Kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar?

Evropë

Kush mund të jetë Kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar?

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 15:24
Boris Johnson

Boris Johnson ka dhënë sot dorëheqje që do thotë se tani do të ketë zgjedhje lidershipi për të vendosur se kush do të bëhet udhëheqësi dhe kryeministri i ardhshëm konservator.

Ata do të duhet të sigurojnë mbështetjen e deputetëve konservatorë, derisa dy kandidatët e fundit do të shkojnë në një votim të anëtarëve konservatorë. Por kush janë kandidatët e mundshëm?

Vlen të theksohet se shumica e këtyre deputetëve dhe ministrave nuk kanë potencuar ende nëse duan punën e liderit dhe kryeministrit konservator – por mund të jenë kandidatë potencialë.

Këta kandidatë potencialë sipas BBC-s janë: Rishi Sunak, Liz Truss, Sajid Javid, Michael Gove, Nadhim Zahawi, Jeremy Hunt, Suella Braverman, Penny Mordaunt, Ben Wallace, Tom Tugendhat dhe Steve Baker.

Si e zgjedhin konservatorët një lider të ri?

Pasi një lider konservator jep dorëheqje, fillojnë zgjedhjet për një lider të ri partie. Sipas rregullave aktuale, kandidatët kanë nevojë për për mbështetjen e tetë deputetëve konservatorë për të kandiduar.

Pasi të jenë deklaruar të gjithë kandidatët – nëse ka më shumë se dy kandidatë – deputetët konservatorë do të mbajnë një seri votash derisa të mbeten vetëm dy.

Në raundin e parë, kandidatët duhet të marrin 5 për qind të votave për të qëndruar në garë (aktualisht 18 deputetë);

Në raundin e dytë duhet të marrin 10 për qind (aktualisht 36 deputetë);

Në raundet në vijim eliminohet kandidati me më pak vota.

Kur të mbeten dy deputetë, të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore në mbarë vendin – pra jo vetëm deputetët – do të votojnë për fituesin.

Afati kohor për çdo konkurs vendoset nga “Komiteti i 1922” i deputetëve të grupit mbështetës dhe komiteti mund të votojë për të ndryshuar rregullat përpara se të zhvillohet konkursi.

Si emërohet kryeministri i ardhshëm?

Kushdo që fiton garën për të udhëhequr konservatorët, do të bëhet kreu i partisë me numrin më të madh të deputetëve në Parlament.

Pastaj Mbretëresha do t’u kërkojë atyre të formojnë një qeveri. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat