Përgjaken sërish rrugët e Kroacisë, rritet numri i të vdekurve nga aksidenti tragjik

Evropë

Përgjaken sërish rrugët e Kroacisë, rritet numri i të vdekurve nga aksidenti tragjik

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 08:48 Përditësuar në ora: 10:56 më 06.08.2022
Pamje nga aksidenti tragjik në Kroaci

Shkon në 12 numri i të vdekurve nga aksidenti tragjik në Kroaci

Dymbëdhjetë njerëz kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e rrëshqitjes së një autobusi nga rruga në veriperëndim të Kroacisë.

Aksidenti ka ndodhur në orën 05:40 të mëngjesit të së shtunës dhe autobusi ka targa polake, ka thënë policia.

Ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, ka konfirmuar se edhe një person ka vdekur në spital dhe se numri i të vdekurve në aksident tani është dymbëdhjetë.

Fillimisht ishte raportuar për 11 persona të vdekur.

“Autobusi ishte nisur nga një vend afër Varshavës, dhe sipas disa informacioneve, ishte një grup që planifikonte të shkonte në pelegrinazh në Megjugorje”, ka thënë Bozhinoviq.

Sipas tij, besohet se në autobus kanë qenë 43 udhëtarë, por nuk ka pasur fëmijë.

Ende nuk dihet shkaku i aksidentit.

Zyrtarët policorë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Segmenti i rrugës që çon drejt kryeqytetit kroat Zagreb, është mbyllur për trafik.

Përgjaken sërish rrugët e Kroacisë, 11 të vdekur nga aksidenti tragjik - dalin pamjet

Kroacia është tronditur sot nga një aksident tragjik që ka ndodhur në një prej autostradave të këtij shteti, ku një autobus me targa polake ka dalë nga rruga dhe si pasojë kanë vdekur 11 persona.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë, përmes një postimi në Twitter.

Sipas mediave kroate, në këtë aksident janë lënduar edhe rreth 40 persona të tjerë.

Policia e Varazhdinit ka njoftuar shkurt se në vendin e aksidentit përveç policëve të Drejtorisë së Policisë së Varazhdinit dhe Zagrebit, janë angazhuar edhe disa ekipe të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikëse nga të dy qarqet, shkruan Hina.

“Sipas informacioneve të deritanishme, në aksident trafiku kanë humbur jetën disa persona dhe një numër i madh janë lënduar rëndë. Përveç policëve të UP-së së Varazhdinit dhe UP-së së Zagrebit, disa ekipe të Institutit për Mjekësi Emergjente nga Qarku i Varazhdinit. dhe Zagrebi, si dhe disa ekipe të zjarrfikësve, janë angazhuar në vendngjarje nga të dy qarqet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mediat kroate kanë publikuar pamje nga vendi i aksidentit.

Policia, së bashku me ekipet e tjera të ndihmës së parë, si emergjenca dhe zjarrfikësit, janë në vendngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat