Ministria italiane: Do të heqim foton e Musolinit nga muri

Evropë

Ministria italiane: Do të heqim foton e Musolinit nga muri

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 19:34
Musolini

Një ministri italiane ka njoftuar se do të heqë një foto të diktatorit fashist Benito Musolini nga një mur pas kritikave nga sindikatat dhe një ish-ministër.

Trashëgimia e Musolinit është sërish një temë e nxehtë në Itali, e cila po përgatitet për ardhjen e qeverisë së ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit, më radikalet që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo parti i ka rrënjët në Lëvizjen Sociale Italiane post-fashiste (MSI).

"Portreti i Musolinit do të hiqet për të shmangur polemika dhe manipulime," tha Ministria e industrisë.

Fotoja është pjesë e një koleksioni të ish-ministrave të industrisë, të prezantuar së fundmi për publikun në kuadër të festës së 90-vjetorit të selisë së ministrisë, e cila është projektuar nga arkitekti i famshëm fashist Marcello Piacentini.

Në njoftimin për shtyp thuhet se një tjetër foto e Musolinit është ekspozuar në Pallatin Chigi, në zyrën e kryeministrit, krahas portreteve të kryeministrave të tjerë italianë.

Musolini, i cili sundoi Italinë nga viti 1922 deri në 1943, është përfshirë në koleksion sepse ai ishte Ministër i Korporatave, paraardhësi i ministrisë aktuale, në 1932.

Ish-udhëheqësi i qendrës së djathtë dhe ministri i industrisë Pier Luigi Bersani protestoi se fotografia e tij ishte shfaqur pranë asaj të Musolinit.

“Unë kërkoj që të hiqet fotoja ime”, ka shkruar ai në një postim në Twitter. Dega e shërbimit publik të sindikatës CGIL, më e madhja në vend, e vlerësoi shfaqjen e fotos si “të mjerueshme” dhe kërkoi që ajo të hiqej menjëherë.

Gjatë fushatës elektorale, Meloni tha se e djathta italiane "e la fashizmin në histori".

Meloni e lavdëroi publikisht Musolinin në rininë e saj, por pretendon se partia e saj ka lënë pas rrënjët e saj post-fashiste dhe tani është po aq e zakonshme sa Partia Konservatore e Britanisë.

"E djathta italiane e ka lënë fashizmin në histori për dekada, duke dënuar pa mëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjet e turpshme antihebre," tha ajo gjatë fushatës zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat