Presidenti Erdogan e sheh kryeministren italiane Meloni si një aleate

Evropë

Presidenti Erdogan e sheh kryeministren italiane Meloni si një aleate

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 16:26
Erdogan dhe

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrja italiane e sapo zgjedhur e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, duket se po gjejnë një gjuhë të përbashkët për çështjet që lidhen me Afrikën dhe imigracionin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, marrëdhënia me kryeministren Meloni është e fundit në listën e partneriteteve të forta që presidenti Erdogan ka krijuar me udhëheqës evropianë të ekstremit të djathtë.

Takimi i parë i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, u shoqërua me buzëqeshje dhe një shtrëngim të ngrohtë duarsh. Takimi i parë mes tyre ndodhi gjatë mbledhjes së udhëheqësve të G-20 në Indonezi.

Pavarësisht politikave të tyre diametralisht të kundërta, duke përfshirë thirrjet e zonjës Meloni për të ngrirë ndërtimin e xhamive në Itali dhe pozicionimin e zotit Erdogan si një mbrojtës i të drejtave të myslimanëve, disa analistë thonë se ata kanë gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Tajip Erdogan është mysliman dhe turk. Meloni është e krishterë dhe italiane. Pra, ata e kuptojnë njëri-tjetrin shumë mirë. Ata nuk flasin për vlera të caktuara, vlera demokratike, por për vlerat fetare, nacionaliste dhe mendoj se do ta kuptojnë njëri-tjetrin shumë më mirë se të tjerët”, thotë Huseyin Bagci nga Instituti i Politikës së Jashtme.

Një nga përparësitë e kryeministres Meloni është frenimi i imigrimit nga Afrika, kryesisht përmes Libisë.

Turqia ka lidhje të forta me Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Libisë, duke i dhënë presidentit Erdogan një avantazh në shkëmbimet e tij me kryeministren Meloni.

“Turqia tani ka një bazë në Libinë perëndimore përmes së cilës kontrollon të gjithë infrastrukturën kritike të këtij rajoni të vendit. Libia perëndimore është një pikë shumë e rëndësishme e trafikimit të qenieve njerëzore në Evropë. Turqia tani ka një bazë në Afrikën e Veriut”, thotë Aya Burweila nga Kolegji Helen i Mbrojtjes Kombëtare.

Por me rritjen e tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë të shkaktuar nga mosmarrëveshjet territoriale, Roma mund të paguajë një kosto të lartë për forcimin e lidhjeve me Ankaranë. Turqia gjithashtu ka marrëdhënie të tensionuara me Egjiptin, një partner i rëndësishëm tregtar i Italisë.

“Mendoj se Italia nuk ka harruar se është një vend evropian. Natyrisht, Italia gjithashtu ka një bashkëpunim të madh në fushën e biznesit të hidrokarbureve me Egjiptin. Ajo nuk dëshiron ta zemërojë Egjiptin. Pra, vërtet ekziston një dallim mes Turqisë dhe Italisë. Italia nuk dëshiron të shohë këtë nivel polemikash”, thotë Jalel Harchaoui nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Marrëdhëniet e zonjës Meloni dhe zotit Erdogan janë acaruar me presidentin francez Emmanuel Macron, pas refuzimit të Italisë së fundmi për të lejuar ankorimin e një anije me emigrantë në brigjet e saj. Anija më pas u detyrua të shkonte në Francë, ku zbarkuan emigrantët.

Udhëheqësit e Turqisë dhe Italisë synojnë gjithashtu të sfidojnë interesat ekonomike fitimprurëse të Francës në Afrikë.

Presidenti Erdogan ka gjithashtu përvojë të gjatë pune me udhëheqësit evropianë të ekstremit të djathtë, si kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.

“Ai në fakt ka një marrëdhënie të mirë pune me autokratë islamafobë si kryeministri hungarez Viktor Orban. Mendoj se mund të shihet si gjë e mirë për interesat e zotit Erdogan, që zonja Meloni është e ekstremit të djathtë, sepse qeveria aktuale turke është mjaft e lumtur të shohë një Evropë të përçarë dhe të çliruar nga të ashtuquajturat vlera”, thotë Senem Aydin-Duzgit nga Universiteti Sabanci.

Ura më e re e Stambollit është ndërtuar nga një kompani italiane. Tregtia është baza mbi të cilën krerët e dy vendeve janë të gatshëm t’i forcojnë marrëdhëniet italo-turke./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat