Shqetësime për politizimin e gjyqësorit dhe zgjedhjet në Turqi

Evropë

Shqetësime për politizimin e gjyqësorit dhe zgjedhjet në Turqi

Më: 27 janar 2023 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Turqisë hodhi poshtë të enjten një kërkesë nga partia e dytë më e madhe opozitare, HDP, për të shtyrë një vendim për mbylljen e saj deri pas zgjedhjeve të përgjithshme turke, që do të mbahen në maj. Kritikët thonë se vendimi shton shqetësimet se presidenti Rexhep Tajip Erdogan po përdor gjyqësorin për të minuar opozitën përpara zgjedhjeve. 

Me muzikë dhe valëvitje të flamujve, partia pro-kurde HDP nisi fushatën e saj me një koalicion partish të majta. 

Por këto nuk janë kohë të lehta për partinë e dytë më të madhe opozitare të Turqisë. Gjykata Kushtetuese ka ngrirë fondet e saj shtetërore pasi ajo po shqyrton një çështje për mbylljen e Partisë Popullore Demokratike, HDP, për lidhje të dyshuara me rebelët kurdë, që luftojnë kundër shtetit turk. HDP i ka mohuar akuzat. 

Gjykata refuzoi të enjten një thirrje për të shtyrë çështjen deri pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 14 majit. 

“Problemi më i madh ligjor është vetë ekzistenca a partisë. Pra, a do të mund të garojë ajo në zgjedhje apo jo? Kjo krijon shumë probleme, sepse udhëheqja aktuale e partisë dhe ish-drejtuesit e saj tani janë nën kërcënimin e një ndalimi nga politika”, thotë Ertugrul Kurkcu, kryetar nderi i partisë HDP. 

Ish-kreu i HDP-së, Selahattin Demirtas, ndodhet tashmë në burg për një rast të cilin Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka konsideruar të motivuar politikisht. Qeveria i ka mohuar këto akuza, duke thënë se gjykatat e vendit janë të pavarura. 

HDP është rivali kryesor i partisë AKP të presidentit Erdogan në garën për të marrë numrin e madh të votave kurde në një fushatë që pritet të jetë e ngushtë. 

“Erdogani sigurisht që do të dëshironte mbylljen e HDP-së. Kjo do të ishte mirë për të në zgjedhjet parlamentare ,sepse atëherë ka të ngjarë që partia e tij AKP të fitojë më shumë vende në parlament”, thotë Mesut Yegen nga Instituti i Reformës. 

Partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, CHP, po përballet gjithashtu me probleme ligjore. Kryebashkiaku i saj karizmatik i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si një kandidat i fortë presidencial, muajin e kaluar u dënua për fyerje të një zyrtari dhe tani përballet me një ndalim nga politika. 

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se gjyqësori po bëhet gjithnjë e më shumë një mjet politik. 

“Dy fushat ku qeveria ruan kontrollin dhe i jep vetes një avantazh të madh janë gjyqësori dhe vendimet gjyqësore, të cilat përdoren kundër opozitës në mënyrë arbitrare dhe kufizuese me synimin për ta mënjanuar atë dhe gjithashtu për të kontrolluar median”, thotë Emma Sinclair-Webb nga organizata Human Rights Watch. 

Me Turqinë, që po përballet me inflacionin në rritje, sondazhet tregojnë se presidenti Erdogan, për herë të parë në dy dekada, përballet me një sfidë serioze në zgjedhje. Por frika është se në vend të votuesve, gjykatat mund të vendosin rezultatin e tyre. 

“Nëse nuk ka sundim të ligjit, kjo do të varet nga dëshirat e Erdoganit. Kjo do të thotë se ata mund të jenë edhe më të ashpër”, thotë Mesut Yegen nga Instituti i Reformës. 

Që nga viti 1950, Turqia ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Por partitë këtë vit po bëjnë thirrje që masat mbrojtëse elektorale të jenë përparësi pasi sondazhet sugjerojnë se këto mund të jenë zgjedhjet më të ngushta në dekada./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat