Gjigandi bankar zviceran UBS ble bankën rivale Credit Suisse

Evropë

Gjigandi bankar zviceran UBS ble bankën rivale Credit Suisse

Më: 20 mars 2023 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Gjigandi bankar zviceran, Union Bank of Switzerland, UBS, ra dakord të blejë bankën rivale Credit Suisse, e cila përballet me vështirësi finanicare. Marrëveshja mes dy bankave erdhi pas bisedimeve urgjente që synonin të shpëtonin nga falimentimi, bankën e tronditur rëndë, kur tregjet u rihapën të hënën.

Dy bankat e mëdha në vendin e pasur malor, i famshëm për sistemin bankar, kanë qenë në bisedime përgjatë gjithë fundjavës.

Presidenti i Zvicrës Alain Berset tha se qeveria kishte besim se blerja ishte “zgjidhja më e mirë” për të “rikthyer besimin” e humbur në tregun financiar.

Gjatë këtyre ditëve të fundit, tregjet financiare janë përballur me paqëndrueshmëri të forta, kjo ka destabilizuar bankat më të pambrojtura, siç është rasti i bankës Credit Suisse. Dhe pavarësisht sasisë të mjaftueshëm të kapitalit, tregjet financiare kanë humbur besimin e tyre te Credit Suisse”, tha Alain Berset , President i Zvicrës

Autoritetet zvicerane nxitën bankën UBS të blinte rivalen e saj më të vogël, pasi një plan i Credit Suisse për të marrë një hua prej 54 miliardë dollarësh nuk arriti të qetësonte investitorëve dhe klientët e bankës.

Aksionet e bankës Credit Suisse dhe bankave të tjera u tronditën fort këtë javë pas falimentimit të dy bankave në Shtetet e Bashkuara, që ngritën shqetësime edhe për institucione të tjera potencialisht të dobëta në sistemin botëror financiar.

Banka Credit Suisse, një prej shtyllave të sistemit bankar zviceran, u shemb me shpejtësi. Sipas analistëve, shumë prej problemeve të bankës, ishin unike të sajat dhe ndryshonin nga problemet që çuan në falimenimin e dy bankave amerikane. Credit Suisse ishte përballur me një sërë vështirësish vitetet e fundit, investime të gabuara, që rezultuan me humbje, si dhe ndryshime të shumta të drejtuesve të saj.

Credit Suisse renditet mes 30 institucioneve financiare të njohura si banka të rëndësishme globale dhe autoritetet u shqetësuan mbi pasojat që do të shkaktonte falimentimi i mundshëm i saj.

Drejtuesit e bankës UBS thanë se në muajt dhe vitet e ardhshëm planfikojnë të shesin pjesë të aksioneve të bankës Credit Suisse, ose të ulin madhësinë e saj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat