Amsterdami me fushatë për turistët: Mos ejani vetëm për t’u argëtuar dhe të konsumoni alkool e drogë

Evropë

Amsterdami me fushatë për turistët: Mos ejani vetëm për t’u argëtuar dhe të konsumoni alkool e drogë

Më: 29 mars 2023 Në ora: 11:30
Foto ilustrim

Autoritetet e qytetit të Amsterdamit njoftuan se kanë nisur një fushatë për të dekurajuar turistët që të mos vijnë vetëm për argëtim, konsumim të alkoolit apo drogës, si dhe të vizitojnë Red Light District me prostituta.

Autoritetet duan të shtojnë masat për të luftuar krimin dhe shqetësimin në qendër të qytetit, i cili është veçanërisht i popullarizuar në mesin e turistëve të rinj për festat e beqarëve.

Shtëpitë publike në distriktin e dritave të kuqe në qendër të qytetit, janë gjithashtu një nga atraksionet kryesore turistike të Amsterdamit.

“Fushata në internet e dekurajimit ka për qëllim turistët e padëshiruar që duan të vizitojnë Amsterdamin për të ‘bërë probleme’, me të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo,” thanë autoritetet e qytetit në një deklaratë.

“Fushata fillimisht do t’i drejtohet Britanisë së Madhe dhe meshkujve të moshës 18 deri në 35 vjeç, një kategori që është shumë e përfaqësuar në rrugët e Amsterdamit” – thuhet ndër tjera në njoftim, duke u theksuar se më pas fushata do t’u drejtohet vizitorëve nga Holanda dhe vendeve tjera nga Bashkimi Evropian, qytetarët e të cilit shkaktojnë incidente.

Ata që shkruajnë fjalë ose terma të tillë në internet si “festë beqarie në Amsterdam”, “hoteli i lirë në Amsterdam” dhe “Amsterdam bar tour” do të marrin mesazhe paralajmëruese.

“Këto mesazhe do të vënë në dukje rreziqet dhe pasojat e sjelljes së papërshtatshme dhe përdorimit të tepruar të drogës dhe alkoolit, përkatësisht – një gjobë, arrest policor, dosje kriminale, shtrimin në spital dhe dëmtim të shëndetit”, thanë autoritetet e qytetit.

Thuhet se vizitorët janë ende të mirëpritur, por jo nëse sillen keq dhe shkaktojnë shqetësime.

Amsterdami njoftoi kohët e fundit një ndalim të pirjes së kanabisit në Distriktin Red Light, kufizime më të rrepta për konsumin e alkoolit dhe mbyllje të hershme të bareve, restoranteve dhe shtëpive publike gjatë fundjavave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat