Partia kryesore e opozitë në Turqi përpiqet të sigurojë vota nga komuniteti kurd

Evropë

Partia kryesore e opozitë në Turqi përpiqet të sigurojë vota nga komuniteti kurd

Më: 12 maj 2023 Në ora: 19:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Rivali kryesor i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet e 14 majit, Kemal Kilicdaroglu, po synon votën kurde në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga qyteti i Dijabakirit, kjo shënon një kthesë për partinë CHP të zotit Kilicdaroglu, e cila për dekada ka injoruar rajonin kryesisht kurd të Turqisë.

Kandidati për deputet i CHP-së, Sezgin Tanrikulu, në një takim me tregtarët e Dijarbakirit, foli për dështimin zgjedhor 30-vjeçar të partisë së tij në rajonin me shumicë kurde.

“CHP jo vetëm që u distancua nga kurdët, por ajo nuk tha asgjë për problemet e tyre themelore, duke ndjekur një qasje negative ndaj tyre. Me politikat tona, nën drejtimin e kryetarit tonë, kemi arritur në një pikë ku i njohim, tregojmë mbështetje për ata dhe duam të gjejmë zgjidhje për problemet e tyre themelore”, tha ai për Zërin e Amerikës.

CHP është partia e themeluesit të Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturk, i cili shtypi ashpër kryengritjet kurde. Në konfliktin e fundit të Turqisë me kurdët, të cilët po luftojnë për më shumë të drejta, partia CHP nuk bëri asnjë koment ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kundërshtoi thirrjet për më shumë të drejta për pakicat.

Por nën udhëheqësin e saj Kemal Kilicdaroglu, kandidat për president, ky qëndrim ndryshoi. Ai po premton reforma demokratike.

Megjithatë, analistët thonë se CHP do të ketë vështirësi në përpjekjet për të kapërcyer të kaluarën e saj.

Është shumë e vështirë për CHP-në që të kthehet sërish në një forcë politike në rajon. Megjithatë, duhet pranuar se CHP ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim dhe Kemal Kilicdaroglu ka sjellë ndryshime të rëndësishme. Po shohim që ka një prirje drejt CHP-së tek të rinjtë dhe votuesit që do të votojnë për herë të parë”, thotë analisti politik Vehap Coskun.

Zoti Kilicdaroglu ka siguruar mbështetjen e partisë kryesore pro-kurde të rajonit në garën e tij për president, me sondazhet që i japin atij një epërsi të fortë në rajon ndaj presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan. Tanrikulu, një banor i Dijarbakirit dhe një nga aktivistët më të shquar të të drejtave të njeriut në qytet, po tërheq mbështetje për fushatën e tij për deputet madje edhe në mesin e skeptikëve të partisë së tij.

“Vota e Diyarbakirit është e qartë. Mendimi i njerëzve është shumë i qartë. Edhe pse ai është me CHP-në, ai është banor i Dijarbakirit dhe do të marrë një votë nga çdo familje e qytetit”, thotë votuesi Sahin Alto.

Sipas analistëve, CHP ka një shans real për të fituar garën për deputet në këtë rajon kurd. Për kandidatin Tanrikulu, ky ka qenë një rrugëtim i gjatë.

"Që nga viti 2010, kam marrë kaq shumë kritika nga rrethi dhe miqtë e mi. Shumë nga miqtë e mi më qortuan sepse u bëra pjesë e kësaj partie. Tani pothuajse të gjithë kanë ndryshuar mendjen dhe janë të gatshëm të votojnë për zotin Kilicdaroglu dhe mendoj se unë kam luajtur një rol në këtë ndryshim", thotë kandidati i CHP-së për deputet.

Analistët thonë se fitimi i garave për deputet në Dijarbakir dhe qytete të tjera në rajonin me shumicë kurde do të dobësonte kontrollin e AKP-së së Erdoganit dhe Partisë së Majtë të Gjelbër pro-kurde dhe do të ndryshonte peizazhin politik të Turqisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat