Scholz thotë se planifikon të flasë me Putinin "në kohën e duhur"

Evropë

Scholz thotë se planifikon të flasë me Putinin "në kohën e duhur"

Më: 26 maj 2023 Në ora: 10:39
Presidenti rus Vladimir Putin në takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Moskë më 15 shkurt 2022.

Kancelari gjerman Olaf Scholz synon të angazhohet në një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin "në kohën e duhur", duke sugjeruar mundësinë e rivendosjes së komunikimit pas një përkeqësimi të konsiderueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

"Telefonata ime e fundit [me Putinin] është zhvilluar goxha kohë më parë", i tha Scholz gazetës Koelner Stadt-Anzeiger në një intervistë të botuar më 26 maj. "Por unë planifikoj të flas përsëri me të, kur të jetë koha e duhur".

Udhëheqësit folën për herë të fundit me telefon në fillim të dhjetorit.

Gjatë asaj telefonate një orëshe, Scholz i kërkoi Putinit të tërheqë trupat e Moskës nga Ukraina, ndërsa udhëheqësi rus akuzoi Perëndimin për ndjekjen e politikave "shkatërruese".

Gjatë një samiti në Japoni më 19 maj, krerët e vendeve të industrializuara të Grupit Shtatë (G7) njoftuan për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e G7-ës thanë në një deklaratë të përbashkët se sanksionet e reja do të ndikojnë në "eksportet e makinerive industriale, mjeteve dhe teknologjive të tjera që Rusia përdor për të rindërtuar makinerinë e saj të luftës".

Gjermania i ka dhënë Ukrainës 18 tanke Leopard 2, në mënyrë që ta ndihmojë Kievin të përballet me pushtimin rus që nisi vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat