Rusia ia zgjat paraburgimin të dyshuarës për vrasjen e blogerit pro-Kremlinit

Evropë

Rusia ia zgjat paraburgimin të dyshuarës për vrasjen e blogerit pro-Kremlinit

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 19:14
Darya Trepova, gruaja e dyshuar për vrasjen e blogerit të njohur rus të luftës, Vladlen Tatarskyt.

Një gjykatë në Moskë ia ka zgjatur masën e paraburgimit Darya Trepova, gruas së dyshuar për vrasjen e një blogeri të njohur rus të luftës në një kafene në Shën Petersburg në fillim të prillit.

Gjykata e Basmanny në kryeqytetin rus vendosi më 1 qershor se Trepova duhet të qëndrojë në paraburgim deri të paktën më 3 shtator.

26-vjeçarja Trepova u arrestua nën akuzën e kryerjes së “një akti terrorist me një grup të organizuar që shkaktoi vdekjen e qëllimshme” menjëherë pas një shpërthimi në Shën Petersburg më 2 prill që vrau Vladlen Tatarskyn, emri me të cilin njihej blogeri pro-Kremlinit, Maksim Fomin. Dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm.

Komiteti Hetues i Rusisë tha më 1 qershor se një urdhër-arresti ishte lëshuar për gazetarin rus Roman Popkov me bazë në Kiev, me dyshimin se e kishte rekrutuar Trepovan për ta kryer vrasjen e Tatarskyt.

Komiteti Hetues tha gjithashtu se Popkov ishte shtuar në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme. Javën e kaluar Popkov u shtua në regjistrin e terroristëve dhe ekstremistëve.

Pas arrestimit të saj, Ministria e Brendshme publikoi një video të Trepovas, e cila mund të ketë qenë duke folur nën presion, duke i thënë një hetuesi se ajo “kishte sjellë aty solli një bust të vogël që shpërtheu”. Kur u pyet se kush ia kishte dhënë atë, ajo u përgjigj se do të tregone “më vonë”.

Tatarsky u vra kur pas një shpërthimi në një kafene përgjatë brigjeve të lumit Neva, ku ai po drejtonte një diskutim.

Mediat ruse kanë thënë se Tatarsky po takohej me të pranishmit kur një grua i dhuroi atij një kuti që përmbante një bust të vogël të tij që raportohet se shpërtheu. Një dëshmitar tha për mediumin lokal Fontanka se një grua që e kishte identifikuar veten si “Nastya” kishte bërë pyetje dhe kishte diskutuar me Tatarskyn përgjatë eventit.

Dëshmitari tha se Nastya i kishte thënë Tatarskyt se ajo kishte bërë një bust të blogerit, por i ishte thënë nga rojet e sigurisë që ta linte në derë sepse ata dyshonin se ishte një bombë. Më pas Nastya shkoi te dera, mori bustin dhe ia dha Tatarskyt. Pasi vendosi bustin në një tavolinë, sipas dëshmitarit, ndodhi shpërthimi.

REN-TV postoi një video të xhiruar nga një dëshmitar okular që duket se tregon Tatarskyn teksa merr bustin.

Një video nga një kamerë nga jashtë kafenesë Street Bar dhe e postuar në Telegram tregon atë që thuhej se ishte momenti i shpërthimit që ndodhi rreth orës 18:15. Videoja tregonte një shpërthim që prishi dritaret e kafenesë, rrëzoi një pjesë të madhe të një objekti dhe shpërndau mbeturina në rrugë. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se pajisja shpërthyese përmbante më shumë se 200 gram TNT.

Trepova dyshohet se më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Fillimisht u raportua se ajo ishte arrestuar më 2 prill, por më pas u raportua se nëna dhe motra e saj ishin thirrur për t'u marrë në pyetje dhe se ajo dyshohej se ishte në arrati.

Tatarksky konsiderohet gjerësisht nga mediat ukrainase si propagandues i Kremlinit dhe mediat pro-Kremlinit e kanë akuzuar Ukrainën se qëndron pas vdekjes së tij. Asnjë grup apo individ nuk ka marrë përgjegjësi për shpërthimin./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat