LIVE: E diel e përgjakshme në Ukrainë, 5 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në rajonin e Donetskut

Evropë

LIVE: E diel e përgjakshme në Ukrainë, 5 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në rajonin e Donetskut

Nga: Bota sot Më: 28 korrik 2024 Në ora: 08:18 Përditësuar në ora: 21:57 më 28.07.2024
Vladimir Putin

5 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në rajonin e Donetsku

Pesë persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën pas sulmeve ruse të shtunën dhe gjatë natës në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, tha guvernatori i saj.

Menjëherë pasi guvernatori i Donetsk-ut Vadym Filashkin njoftoi për viktimat të dielën, zyrtarë të tjerë lokalë ukrainas thanë se sulmet ruse plagosën më shumë civilë në lindje dhe jug.

Të paktën tetë persona u plagosën pasi të dielën forcat e Moskës goditën qytetin lindor të Ukrainës, Nikopol, njoftoi guvernatori lokal Serhii Lysak. Ai tha se një foshnjë dhe një vajzë 10-vjeçare ishin në mesin e viktimave. Gjashtë të plagosurit gjenden në spital.

Sulmet ruse të dielën plagosën gjithashtu tetë civilë të tjerë, duke përfshirë një 10-vjeçar dhe dy adoleshentë, në një fshat në rajonin Kherson të Ukrainës, njoftoi zyrtari lokal Roman Mrochko.

Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke detyruar miliona njerëz të ikin në vendet fqinje. Marrja e kontrollit të të gjithë Donetskut është një nga qëllimet kryesore të luftës së Kremlinit.

Putin kërcënon me rinisjen e prodhimit të raketave me rreze të mesme veprimi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me rinisjen e prodhimit të armëve bërthamore me rreze të mesme veprimi nëse Shtetet e Bashkuara konfirmojnë qëllimin e tyre për dislokimin e raketave në Gjermani apo diku tjetër në Evropë.

“Nëse SHBA-ja realizon plane të tilla, ne do ta shqyrtojmë çlirimin nga moratoriumi i njëanshëm që më herët është miratuar për dislokimin e armëve që kanë aftësi të mesme dhe të shkurtër veprimi”, tha Putin gjatë paradës detare në Shën Petersburg më 28 korrik.

Raketa të tilla, që mund të fluturojnë midis 500 deri në 5.500 kilometra, ishin subjekt i traktatit për kontrollin e armëve bërthamore të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik më 1987.

Uashingtoni dhe Moska u larguan nga Traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme veprimi më 2019, duke akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të traktatit.

Më vonë, Rusia tha se nuk do të riniste prodhimin e armëve të tilla për aq kohë sa SHBA-ja nuk do të dislokonte raketa jashtë vendit.

Në fillim të korrikut, Uashingtoni dhe Berlini njoftuan për “dislokime episodike” të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi, përshirë raketa lundruese të llojit Tomahawk, në Gjermani duke nisur nga viti 2026.

Putin tha se “vendndodhjet e rëndësishme administrative dhe ushtarake ruse” do të ishin në rrezen e veprimit të raketave të tilla, të cilat “në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore dhe këto raketa mund të arrijnë në territoret tona brenda 10 minutash”.

“Kjo situatë na kujton ngjarjet e Luftës së Ftohtë që lidhen me dislokimin në Evropë të raketave amerikane me rreze të mesme veprimi”, tha Putin.

Kremlini veçse ka paralajmëruar më herët gjatë këtij muaji se njoftimi për dislokimin e armëve amerikane do të nënkuptonte se kryeqytetet evropiane do të bëheshin caqe për raketat ruse./REL

Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll dy vendbanime në Donjeck

Rusia tha se forcat e saj kanë marrë kontrollin e dy fshatrave në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, teksa forcat e Moskës po vazhdojnë të avancojnë drejt qytetit të Pokrovskit, në veriperëndim të kryeqytetit rajonal.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat e saj morën kontrollin e fshatrave Porgres dhe Jevgenivka, që gjenden disa kilometra larg njëri-tjetrit.

Një ditë më herët, Rusia pretendoi se mori nën kontroll fshatin Lozuvatske, një prej disa fshatrave që ka thënë se ka kapur gjatë këtij muaji në rajonin e Donjeckut.

Së fundi, Kremlini ka përqendruar ofensivën e tij në këtë rajon, të cilin pretendoi se e ankesoi disa muaj pasi nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase njoftoi mëngjesin e 28 korrikut se ka zmbrapsur 29 sulme në këtë zonë, ku Rusia po tenton të dislokojë njësitë e saj./REL

Moska forcon marrëdhëniet me Iranin dhe Korenë e Veriut

Rusia vazhdon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Iranin dhe Korenë e Veriut në këmbim të dërgimit të “ndihmave vdekjeprurëse” për ushtrinë ruse për përdorim në Ukrainë, tha Instituti për Studimin e Luftës (ISW).

Qendra e studimit amerikan, tha se Teherani do të nisë satelitët e tij Hod Hod dhe Kosar në orbitën e ulët të Tokës nga një stacion rus të paspecifikuar në tetor. Analistët e ISË shtojnë se sipas Bankës së Koresë së Jugut, produkti i brendshëm bruto i Koresë së Veriut u rrit me 3.1% në 2023 krahasuar me 2022, pas tkurrjeve vjetore që nga viti 2019.

Banka e Koresë vlerësoi gjithashtu se industritë e rënda dhe kimike të Koresë së Veriut, veçanërisht Prodhimi i hekurit, çelikut, bakrit, nikelit dhe aluminit shënoi rritjen më të lartë në vitin 2023 (+8.1%).

Koreja e Veriut dërgoi 4.8 milionë predha artilerie në Rusi dhe Irani furnizoi me drone Shahed-136/131 dhe komponentë në Moskë.

Rusia thotë se Ukraina ka sulmuar një depo nafte në rajonin e Kurskut

Tre cisterna të një depoje të naftës në rajonin Kurs të Rusisë u përfshin nga zjarri si rezultat i një sulmi me dronë të kryer nga Ukraina, tha më 28 korrik guvernatori rajonal, Alexei Smirnov.

Askush nuk është lënduar gjatë sulmit dhe zjarri në një cisternë u shua shpejt. Megjithatë, 82 zjarrfikës dhe 32 njësi janë përfshirë në përpjekjet për të shuar zjarrin në dy cisternat e tjera, shkroi Smirnov në një postim në Telegram.

Ministria ruse e Mbrojtjes shkoi në Telegram se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar dy dronë mbi rajonin e Kurskut.

Smirov tha se dronët po ashtu dëmtuan disa ndërtesa të banimit në rajon, duke plagosur një person.

Këto pretendime të Rusisë nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Ndërkaq, Ukraina ende nuk ka komentuar për këtë rast.

Të dyja palët mohojnë se sulmojnë civilët në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kievi ka thënë se sulmet e tij ndaj infrastrukturës energjetike, ushtarake dhe të transportit të Rusisë janë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme që Moska kryen në territorin e Ukrainës.

Kryeministri hungarez: Rusia do të fitojë, ndërsa perëndimi ‘irracional’ humbet fuqinë

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha të shtunën se udhëheqja e Rusisë ishte “hiper racionale” dhe se Ukraina nuk do të ishte kurrë në gjendje të përmbushte shpresat e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian ose NATO-s.

Orban, një nacionalist në pushtet që nga viti 2010, i bëri komentet gjatë një fjalimi në të cilin ai parashikoi një zhvendosje të fuqisë globale nga perëndimi “irracional” drejt Azisë dhe Rusisë.

“Në dekadat e ardhshme të gjata, ndoshta shekujt, Azia do të jetë qendra dominuese e botës,” tha Orban, duke përmendur Kinën, Indinë, Pakistanin dhe Indonezinë si fuqitë e mëdha të botës.

Orban, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së, ka ndryshuar ashpër nga pjesa tjetër e bllokut duke kërkuar lidhje më të ngrohta me Pekinin dhe Moskën.

Kryeministri hungarez zemëroi disa liderë të BE-së kur shkoi për vizita të papritura në Kiev, Moskë dhe Pekin këtë muaj për bisedimet për luftën në Ukrainë.

Ai tha se ndryshe nga “dobësia” e Perëndimit, pozicioni i Rusisë në çështjet botërore ishte racional dhe i parashikueshëm, duke thënë se vendi kishte treguar fleksibilitet ekonomik në përshtatjen me sanksionet perëndimore që kur pushtoi Krimenë në 2014.

Forcat ukrainase godasin me raketa një aeroport ushtarak rus në gadishullin e Krimesë

Autoritetet ukrainase njoftuan se kanë goditur me raketa një aeroport ushtarak rus në gadishullin e Krimesë.

Forcat ajrore ruse po e përdornin këtë aeroport për të nisur sulmet në territorin e saj.

Në muajt e fundit, Kievi ka shumëfishuar sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi në Krime dhe në këtë mënyrë, Flota e Detit të Zi të Marinës Ruse, me qendër në Sevastopol, u detyrua të zhvendoste anijet e saj luftarake diku tjetër, në porte më të sigurta.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës konfirmoi gjithashtu se baza ajrore Saki në Krimenë perëndimore u godit.

Pothuajse dy vjet e gjysmë pas shpërthimit të luftës, forcat ukrainase theksojnë se së fundmi kanë goditur disa sisteme ruse të mbrojtjes ajrore të vendosura në Krime, duke përfshirë grupet S-300 dhe S-400.

Zelensky jep lajmin e mirë: Gati plani për të arritur paqen, ja afati! Reagon Moska

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se një grup i madh pune në Ukrainë, në përbërje ekspertë e diplomatë, po punon për hartimin e një plani, më të cilin synon t’i japë fund agresionit rus, ndërsa Bashkimi Europian, ka njoftuar se ka bërë të disponueshme për Ukrainën 1.6 miliardë dollarë.

Pas më shumë se 2 vitesh nga fillimi i agresionit rus, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, synon hartimin e një plani të mirëdetajuar për t’i dhënë fund agresionit rus. Lideri ukrainas është optimist se ky plan do jetë gati për të nisur zbatimin deri në fund të nëntorit të këtij viti.

“Unë i kam caktuar një detyrë në këtë drejtim administratës sime dhe ekipit tonë diplomatik, mendoj se plani do të jetë gati përfundimisht në nëntor”, tha Zelensky në një intervistë për median japoneze.

Sipas Zelensky, pikat kyçe të këtij plani do të jenë forcimi i ushtrisë ukrainase, mbështetja për Ukrainën nga fuqitë aleate dhe presioni diplomatik ndërkombëtar ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, Moska ka mohuar kategorikisht se do të pranojë propozime të cilat janë të fabrikuara vetëm nga Ukraina.

Bashkimi Evropian njoftoi të premten se ka bërë të disponueshme për Ukrainën 1.6 miliardë dollarë fonde që janë përftuar nga interesat e rreth 225 miliardë dollarëve në pasuri të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë.

Zyrtarët e BE-së thonë se 90% e fondeve do të qëndrojnë në llogaritë evropiane që përdoren për të rimbursuar vendet anëtare që dërgojnë armatime, municione dhe pajisje drejt Ukrainës. Pjesa e mbetur prej 10% do të përfshihet në buxhetin e BE-së për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës.

Kryeministri indian ka të ngjarë të vizitojë Ukrainën

Kryeministri indian, Narendra Modi, ka të ngjarë të vizitojë Ukrainën muajin e ardhshëm, thuhet në një raport të mediave lokale, vizita e tij e parë në vend që nga fillimi i luftës me Rusinë dhe vetëm disa javë pasi u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.

Ambasada e Ukrainës në New Delhi tha se nuk kishte informacion për të ndarë.

Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme as nga Ministria e Jashtme e Indisë.

Bëhet e ditur se vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022, por kombet “miqësore” si India dhe Kina kanë vazhduar të bëjnë tregti.

India është përmbajtur nga fajësimi i drejtpërdrejtë i Rusisë, ndërsa u bëri thirrje dy vendeve që të zgjidhin konfliktin e tyre përmes dialogut dhe diplomacisë, shkruan Reuters.

Siç raportohet, Modi u takua me Putinin pikërisht kur një raketë ruse goditi një spital në Kiev duke vrarë të paktën 41 njerëz.

Udhëheqësi indian i tha Putinit se vdekja e fëmijëve të pafajshëm ishte “e dhimbshme dhe e tmerrshme”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shprehu pakënaqësinë për vizitën e Modit në Rusi, duke e quajtur atë një “zhgënjim të madh dhe një goditje shkatërruese për përpjekjet për paqe” për ta parë atë të përqafojë “kriminelin më të përgjakshëm në botë në Moskë në një ditë të tillë”.

Megjithatë, Rusia mohoi të ketë goditur spitalin.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur shqetësime për marrëdhëniet e Indisë me Rusinë.

Data përfundimtare e vizitës së Modit në Ukrainë nuk është ende e konfirmuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat