Veçse buzëqeshje shkaktojnë tek autoritete greke dhe bizneset që lidhen me turizmin shifrat mbresëlënëse të trafikut të pasagjerëve në aeroportet e vendit për shtatë muajt e fundit që parashikojnë se 2024 do të jetë një vit rekord në këtë sektor jetik.
Sipas të dhënave, nga 1 Janari e deri në 31 korrik ka një rritje prej 9,5% të trafikut të pasagjerëve krahasuar me vitin e kaluar për të gjitha aeroportet e vendit ku kryhen fluturime mallrash dhe njerëzish.
Në veçanti, numri i përgjithshëm i pasagjerëve në këtë periudhë arriti në 42.5 milion krahasuar me 38.8 milion në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që nuk përllogaritet ende gushti ku numri i udhëtarëve është shumë herë më i lartë se çdo muaj tjetër të vitit.
Shërbimi i aviacionit thekson: “Greqia vazhdon trendin e saj pozitiv për mbërritjet ajrore ndërkombëtare këtë verë, duke e bërë vendin një nga destinacionet kryesore turistike evropiane”.
Vetëm në datën 10 gusht 2024 Kontrolli i Trafikut Ajror të Shërbimit të Aviacionit Civil (CAA) shërbeu 4,944 fluturime në zonën ajrore kombëtare të vendit (F.I.R Athens) rekord i të gjitha kohërave.
Për aeroportin “Eleftherios Venizelos” të kryeqytetit gjithçka tregon se ky vit po shkon drejt një rekord të ri si për trafikun e pasagjerëve që arriti në shtatë muajt e parë në mbi 17.6 milion udhëtarë, 14,6 % më shumë se 2023, ashtu edhe për fluturimet drejt Athinës të brendshme dhe ndërkombëtare që kaluan shifrën prej 150.000.
Të dhëna që shkaktojnë entusiazëm edhe për sa i përket 14 aeroporteve rajonale të gjigandit Fraport Greece që i zotëron ato. Në shtatë mujorin e parë kanë udhëtuar tek to mbi 19 milionë pasagjerë, një rritje prej 6,4% krahasuar me periudhën korresponduese të vitit 2023 dmth 1,2 milionë pasagjerë më shumë.
Në vend të parë është aeroporti “Maqedonia” i Selanikut me 4,07 milion pasagjerë dhe një rritje prej 5,2% , i ndjekur nga ai i Rodosit me 3.62 milion, i Korfuzit me 2.25 milion dhe i Haniasë në Kretë me 2.11 milion.
Në lidhje me vendet që kanë trafikun më të madh të kombinuar të pasagjerëve në 14 aeroportet e Fraport Greece, Britania e Madhe mbetet vazhdimisht e para me diferencë të madhe nga e dyta Gjermania dhe e treta Italia. Pasojnë Polonia , Holanda , Franca, Danimarka, Republika Çeke, Austria dhe Suedia.