Qeveria e përkohshme gjermane, e udhëhequr nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit, ka bllokuar eksportin e planifikuar të 40 aeroplanëve luftarakë Eurofighter Typhoon drejt Turqisë, raportoi mediumi gjerman Handelsblatt, duke iu referuar burimeve të njohura me diskutimet e brendshme konfidenciale.
Sipas burimeve nga qeveria gjermane, arsyeja kryesore për ndalimin e lejes së eksportit është arrestimi i politikanit opozitar turk, Ekrem Imamoglu, për akuza për korrupsion – një veprim që zyrtarët në Berlin e kanë përshkruar si “sulm ndaj demokracisë turke”.
Opozita në Turqi pohon se akuzat ndaj Imamoglu-t janë të motivuara politikisht.
Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Stambollit u arrestua më 23 mars, për shkak të dyshimeve për veprime korruptive. Akuzat ndaj tij përfshijnë blerjen e dyshimtë të tri vilave në një nga zonat më atraktive të Stambollit, përmes një kompanie ndërtimi që i përket familjes së tij, ku ai zotëron 60 për qind të aksioneve.
Sipas dokumenteve zyrtare, një bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Imamoglut i ka blerë vilat në emër të tij dhe, pas tre vitesh, ia ka kaluar pronësinë kompanisë së Imamoglut për një çmim të ulët.
Türkiye has reportedly received a new proposal from the #Eurofighter #Typhoon consortium involving two batches of 20+20 new Tranche 4 fighters, the latest production model, while #Ankara might also request older ex-RAF aircraft to be used for training, something purported to be… pic.twitter.com/9KESH3YDwJ
— Turkish Century (@TurkishCentury) March 13, 2025
Megjithëse kancelari në largim Olaf Scholz kishte shprehur mbështetje për eksportin e pajisjeve ushtarake drejt Turqisë gjatë vizitës në Stamboll në tetor 2024, arrestimi i Imamoglut ka sjellë një ndryshim qëndrimi.
“Turqia është anëtare e NATO-s dhe prandaj ne vazhdimisht marrim vendime që çojnë drejt dërgesave konkrete”, kishte deklaruar më herët Scholz.
Programi Eurofighter Typhoon është një projekt i përbashkët i Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Italisë. Politika restriktive e Gjermanisë ndaj eksportit të armëve ka shkaktuar prej kohësh tensione brenda konsorciumit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca shpesh e kanë kritikuar qëndrimin e Berlinit.
Përpjekjet për harmonizimin e rregullave evropiane mbi eksportin e armëve janë përfshirë në strategjinë gjermane të industrisë së mbrojtjes dhe në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, e cila bën thirrje për një dhënie më të shpejtë dhe më të koordinuar të lejeve të eksportit, veçanërisht ndërmjet aleatëve brenda NATO-s.