“Një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë”: Trump thotë se është një “nder” të presë liderët evropianë
Nga: A.Sh
Donald Trump ka postuar në rrjetet sociale para disa minutash, duke e quajtur këtë ditë një “ditë të madhe në Shtëpinë e Bardhë”.
“Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë liderë evropianë këtu në të njëjtën kohë,” shkroi ai në llogarinë e tij në Truth Social.
“Nder i madh për Amerikën!!!! Të shohim se çfarë rezultate do të ketë???”
Ndërkohë, Agjencia Ukrinform raporton se Volodymyr Zelenskyy po takon përfaqësuesin amerikan Keith Kellogg në Uashington, përpara bisedimeve të tij me Trump.
Trump: Kievi nuk mund ta rimarrë Krimenë dhe nuk mund të hyjë në NATO
“Presidenti ukrainas Zelensky mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë.”
Kështu shkruan Donald Trump në rrjetin e tij Truth, vetëm pak orë para takimit me liderin e Kievit dhe ata europianë:
“Mos harroni si nisi gjithçka.
Krimea, e dhënë nga Obama (12 vite më parë, pa u qëlluar asnjë plumb!), nuk mund të merret më mbrapsht, dhe Ukraina nuk mund të hyjë në NATO.
Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!”
Zelensky mbërrin në Uashington, falënderon Trumpin për ftesën
Pak orë pasi mbërriti në Uashington, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensku falënderoi Donald Trumpin për ftesën e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Përmes një postimi në “X”, Zelensky u shpreh mirënjohës ndaj presidentit amerikan.
“Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme”, shkroi ai.
“Jam i bindur se do ta mbrojmë Ukrainën, do të garantojmë në mënyrë efektive sigurinë dhe se populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Presidentit Trump, të gjithëve në Amerikë dhe çdo partneri dhe aleati për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar”, përfundoi Zelensky.
Në takimin e tij me Trumpin do të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shumë liderë të tjerë.
Çfarë nënkuptojnë “garancitë e sigurisë”?
Steve Witkoff, i dërguari special i Donald Trump në Alaskë, tha se Rusia ka rënë dakord që SHBA-të dhe Europa t’i ofrojnë Ukrainës garanci të forta sigurie si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Këto garanci nuk janë saktësuar ende në detaje, por koncepti përfshin mundësinë që SHBA-të dhe aleatët evropianë të ofrojnë gjuhë të ngjashme me Nenit 5 të NATO-s, që parashikon se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Presidenti ukrainas Zelensky e përshkroi ofertën e SHBA-ve si historike.
Një grup aleatësh, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë premtuar të mbrojnë paqen në Ukrainë dhe mund të vendosin një forcë mbrojtëse pas përfundimit të luftës për të siguruar qiellin, detet dhe rindërtimin e ushtrisë ukrainase.
Britania e pranon (jo publikisht) parimin “tokë për paqe”
Mësohet se Mbretëria e Bashkuar e pranon në mënyrë private parimin e “tokës për paqe”, edhe pse kryeministri Keir Starmer nuk e ka deklaruar zyrtarisht, raporton BBC.
Negociatat për të ardhmen e Ukrainës pritet të përqendrohen tek vendimi se çfarë territore mund të shkëmbehen dhe si mund të sigurohet paqe e qëndrueshme.
Liderët evropianë kanë mirëpritur miratimin nga i dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, për garancitë e sigurisë që ata kanë propozuar.
Megjithatë, ata presin një angazhim publik dhe të qartë nga Trump për rolin e SHBA-ve në mbrojtjen e Ukrainës në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqësore.