Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të organizojnë një takim të ri trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, me synimin për të avancuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Zelenskyt, pala amerikane është aktualisht në kontakt me të dyja vendet dhe ka propozuar zhvillimin e një takimi në nivel teknik, në format trepalësh, deri në fund të tetorit.
“Ne jemi të gatshëm”, ka deklaruar presidenti ukrainas, duke bërë të ditur se Kievi është i gatshëm të marrë pjesë në bisedime dhe se tani po pret përgjigjen e Moskës.
Zelensky tha se takimi mund të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe ose në një tjetër vend që mund të propozohet nga pala amerikane.
Zelensky: Presim përgjigjen e Rusisë
Komentet e presidentit ukrainas u bënë në Kiev gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Zelensky theksoi se SHBA-ja po zhvillon kontakte me të dyja palët në përpjekje për të krijuar një format të ri negociatash, ndërsa luftimet dhe sulmet ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Moska do ta pranojë propozimin amerikan dhe nëse takimi trepalësh do të zhvillohet deri në fund të tetorit.
Nëse Rusia e pranon, një takim i tillë do të përfshinte për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë SHBA-në në një format të përbashkët negociatash me të dyja palët e luftës.
*Burimi: Reuters/AFP