​Bullgaria regjistron 7 milionë turistë për 9 muaj

Evropë

​Bullgaria regjistron 7 milionë turistë për 9 muaj

Më: 7 tetor 2026 Në ora: 16:04
Mariela Modeva

Më shumë se 7 milionë turistë vizituan Bullgarinë midis muajve janar dhe shtator, deklaroi zëvendësministrja e Turizmit, Mariela Modeva, në hapjen e Panairit të 21-të Ndërkombëtar të Turizmit Kulturor në Veliko Tarnovo.

Nga maji deri në shtator, vendin e vizituan 5,7 milionë turistë, përfshirë më shumë se 3,5 milionë vizitorë të huaj, raporton BTA, përcjell KosovaPress.

Interesi për turizmin kulturor dhe historik po rritet gjithashtu, me një shtim të numrit të vizitorëve prej rreth një për qind në 21 bashki bullgare.

Në nivel evropian, rreth 14% e turistëve thonë se udhëtojnë për turizëm kulturor dhe historik, ndërsa një përqindje e ngjashme janë të interesuar për vizita në qytete. Rreth 4% janë të interesuar për turizmin e verës dhe atë kulinar, duke e çuar pjesën e kombinuar të këtyre formave të turizmit në rreth 32%, tha Modeva.

Aktualisht, Bullgaria nuk ka statistika të veçanta për turizmin kulturor; ai matet përmes vizitave në vendet kulturore dhe historike, në bashkitë me përqendrim të trashëgimisë kulturore dhe në muze. Vizitat në muze tashmë kanë kaluar shifrën prej 7,9 milionësh.

Bullgaria renditet e treta në Evropë, pas Italisë dhe Greqisë, për sa i përket numrit të objekteve të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, me rreth 40 mijë të tilla.

Panairi i 21-të Ndërkombëtar i Turizmit Kulturor do të qëndrojë i hapur deri më 9 tetor. Aktiviteti organizohet nga Bashkia e Veliko Tërnovos në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, si pjesë e Programit Vjetor për Promovimin Kombëtar të Turizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat