Dhjetë persona u plagosën sot gjatë një sulmi me hanxhar në një shkollë në Ostroleka, në Poloninë verilindore, ndërsa policia ndaloi një të dyshuar 19-vjeçar menjëherë pas incidentit.
Guvernatori i rajonit të Mazovisë, Mariusz Frankowski, u tha gazetarëve se nëntë persona u dërguan në spital, por asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
"Mes të plagosurve janë pesë nxënës, dy mësues dhe dy persona që ndodheshin rastësisht në vendngjarje, si dhe vetë autori, i cili e plagosi veten," tha ai.
Policia raportoi se i dyshuari është nxënës i shkollës dhe se ai sulmoi njerëzit me një hanxhar.
Prokurori shtetëror Dariusz Korneluk tha për televizionin TVN24 se në çantën e shpinës së sulmuesit u gjet një mjet shpërthyes i improvizuar, i cili ishte pranë shpërthimit.
Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Adrian Stupski, i tha transmetuesit shtetëror TVP, se nxënësit u barrikaduan në klasa për vetëmbrojtje para se të evakuoheshin.
Motivet e sulmit nuk dihen. Incidente të tilla janë të rralla në Poloni, por në shtator, policia ndaloi një 13-vjeçar të dyshuar për planifikimin e një sulmi dhe gjeti një thikë në çantën e tij.