Dënohen më 3 vjet e 3 muaj burgim të akuzuarit për vrasje të personit që hyri i armatosur për t’i grabitur në shtëpi

Ferizaj

Dënohen më 3 vjet e 3 muaj burgim të akuzuarit për vrasje të personit që hyri i armatosur për t’i grabitur në shtëpi

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 16:21
Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamentit për Krime të Rënda, ka shpallur gjatë të enjtes aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.N dhe N.N. shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

Sipas komunikatës për medie, kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurit i shpalli fajtor.

“Të pandehurit A.N i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti, ndërsa të pandehurit N.N, dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet e tre (3) muaj”, thuhet në komunikatë.

Rasti kishte ndodhur në gusht të vitit 2019, kur tashmë i ndjeri bashkë me një person tjetër kishte hyrë i armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje.

“Të pandehurit akuzohen se më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F.G, i cili paraprakisht me A.T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N.N fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të pandehurit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore, dhe pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t'ia marrin nga dora tani të ndjerit – thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F.G mbetet i vdekur në vend”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat