Në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, policia në Ferizaj ka ndërmarrë veprime për parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
Gjatë kontrolleve të realizuara nga njësitet policore në Ferizaj, janë ndaluar dhe konfiskuar pesë furgona dhe një kamion, të cilët dyshohet se transportonin dru pa dokumentacion të rregullt.
Sipas njoftimit, për rastet në fjalë janë njoftuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejme në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi dhe masa drusore është konfiskuar.
“Policia në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative me qëllim të mbrojtjes së pasurisë pyjore dhe parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme”, u than ë njoftim.
Sipas policisë, mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë natyrore mbetet prioritet i institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.