Statistikat e Policisë zbulojnë ndryshimet e veprave penale në Ferizaj gjatë gushtit

Ferizaj

Statistikat e Policisë zbulojnë ndryshimet e veprave penale në Ferizaj gjatë gushtit

Më: 10 shtator 2026 Në ora: 09:17
Fotoilustrim

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, ndërsa të dhënat për muajin gusht 2026 tregojnë ndryshime të dukshme në disa kategori të veprave penale, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

Sipas raportit të Policisë Rajonale të Ferizajt, gjatë gushtit 2026 janë evidentuar 18 raste të posedimit ilegal të armëve, kundrejt 12 rasteve në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo paraqet një rritje prej 50 për qind.

Rritje është shënuar edhe te lëndimi i rëndë trupor, ku nga 1 rast në gushtin e vitit 2025, numri ka arritur në 3 raste këtë vit, ose 200 për qind më shumë.

Në anën tjetër, disa nga veprat penale kanë shënuar rënie. Vjedhjet kanë zbritur nga 34 raste në 24, duke shënuar një rënie prej 29.4 për qind, ndërsa lëndimet e lehta trupore kanë rënë nga 46 në 38 raste, ose 17.3 për qind.

Rënie është regjistruar edhe te dhuna në familje, nga 28 raste në gusht 2025 në 23 raste në gusht 2026, që përbën një ulje prej 17.8 për qind. Po ashtu, rastet e kanosjes kanë rënë nga 33 në 31, ndërsa vjedhjet e rënda kanë mbetur në të njëjtin nivel, me nga 15 raste në të dyja periudhat.

Sipas statistikave, nuk janë regjistruar raste të vrasjeve dhe grabitjeve në asnjërën nga periudhat e krahasuara.

Një tjetër kategori që ka shënuar rritje është shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, me 10 raste në gusht 2026, krahasuar me 6 raste në gushtin e vitit të kaluar, ose 66.6 për qind më shumë.

Raporti paraqet rritje edhe në numrin e arrestimeve. Në gusht 2026, 62 persona janë arrestuar sipas autorizimeve policore, krahasuar me 55 në gushtin 2025, që paraqet rritje prej 12.7 për qind.

Ndërkohë, arrestimet sipas urdhëresave të gjykatës janë rritur nga 88 në 93 raste, ose 5.7 për qind.

Të dhënat tregojnë se, krahasuar me gushtin e vitit 2025, në gushtin e këtij viti në rajonin e Ferizajt është shënuar rënie në disa prej veprave penale, por edhe rritje e rasteve që lidhen me armët, rrezikimin e përgjithshëm dhe lëndimet e rënda trupore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat