Kërkimi për Hamëz Ismalin, 80-vjeçar nga Ferizaj, i cili është larguar nga shtëpia më 17 gusht dhe nuk është kthyer më, po vazhdon.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se gjatë tri ditëve të fundit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, banorët e Ferizajt dhe fshatit Komogllavë, si dhe ekipet e saj, kanë zhvilluar kërkime aktive për gjetjen e të moshuarit.
Kërkimet janë zhvilluar në zona urbane dhe rurale, ndërsa në operacion janë përdorur edhe dronë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, Ismali ende nuk është gjetur.
Sipas Shoqatës, kërkimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim me banorët e Komogllavës dhe Policinë e Kosovës.
Qytetarët që kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e 80-vjeçarit, janë lutur që ta përcjellin tek Policia e Kosovës ose tek ekipet e angazhuara të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.