Gati për MotoGP

Formula 1

Gati për MotoGP

Më: 6 maj 2020 Në ora: 14:55
Gati për MotoGP

Jerez de la Frontera mund të çelë sezonin në Moto GP. Drejtuesit e pistës në Jerez janë në bisedime për të pritur dy garat e para të edicionit të 72 të kampionatit botëror të motoçiklizmit, kompeticion që është shtyrë vazhdimisht në kohë për arsye të pandemisë së koronavirusit. Për hir të së vërtetës kampionati i sivjetshëm duhej të kishte filluar që dy muaj më parë, me garën hapëse që si zakonisht ishte programuar në Losail më datë 8 mars, për Çmimin e Madh të Katarit.

Drejtuesit e këtij cirkuiti kanë planifikuar për të organizuar pikërisht dy garat e para të vitit 2020 në këtë aktivitet, madje në projekt është menduar që garat të nisin përpara muajit gusht. Deri tani për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit ka shtyrë ose anuluar plot 11 gara nga kalendari i edicionit të sivjetshëm, që u hartua në fillim të sezonit. Së fundmi drejtuesit e FIM vendosën gjithashtu edhe anulimin e tre garave të tjera.

Bëhet fjalë për Çmimet e Mëdha të Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, që u fshinë nga kalendari zyrtarisht më datë 29 prill. Me heqjen e këtyre tre garave pra ishte planifikuar që edicioni i sivjetshëm të startonte në ditët e para të muajit gusht, më saktë në datë 9 gusht, me garën e Çmimit të Madh të Çekisë në Brno, sidoqoftë me zhvillimet më të fundit, uljen e ndjeshme të rasteve të infektimit dhe përmirësimin e dukshëm të situatës përsa i përket pandemisë së koronavirusit anembanë globit, gjërat pritet të ndryshojnë. Një përmirësim i tillë duket se ka rikthyer shpresën edhe për sportet motorike në përgjithësi.

Të gjithë këto sporte po bëjnë përpjekje maksimale për të mos humbur akoma më shumë, duke rikuperuar kohën e humbur dhe Dorna Sports që merret me mbarëvajtjen e kampionatit është duke studiuar mundësinë për të filluar garat më herët nga ç’ishte parashikuar. Dorna Sports është themeluar 21 vjet më parë në Spanjë, madje edhe selinë grupi që kontrollon të drejtat e Moto Gp e ka pikërisht në Madrid dhe në fakt dy figurat kryesore Carmelo Ezpeleta dhe Enrique Aldama po këmbëngulin që sezoni të fillojë në gadishullin iberik, me Çmimin e Madh të Spanjës. Ky vend ka privilegjin për të pritur katër gara gjatë sezonit, në Jerez, Montmelo, Alcaniz dhe Valencia, gjithsesi bisedime intensive janë zhvilluar pikërisht me drejtuesit e pistës andaluziane.

Qëllimi është për të startuar edicionin e vitit 2020 në Jerez, për më tepër është menduar që për të fituar kohën e humbur dy garat e para të këtij sezoni të zhvillohen njëra pas tjetrës, pra në dy fundjava rresht, ndërsa në vijim një javë më pas në radhë po planifikohet që në pistën e famshme që ndodhet në jug të vendit, në Krahinën Autonome të Andaluzisë dhe që mban emrin e pilotit legjendar spanjoll Angel Nieto të organizohet gjithashtu edhe një garë e kampionatit botëror në Superbike.

Kryebashkiakja e qytetit në Jerez de la Frontera, Mamen Sanchez deklaroi për gazetën lokale “Diario de Jerez” se bëhet fjalë për një ofertë që nuk mund të refuzohet. 51-vjeçarja shtoi se plani është për të mirëpritur një numër të madh personash, që mund të vizitojnë qytetin piktoresk përgjatë tre javëve. Mbi të gjitha koha e përzgjedhur në një pjesë të veçantë të stinës së verës zgjon goxha interes, për më tepër qyteti i përmbush kushtet dhe i ka të gjitha mundësitë për të pritur në masë të pasionuarit e këtij sporti. Një aktivitet i tillë natyrisht do të sillte përfitime të mëdha për vetë qytetin, megjithëse sipas kryebashkiakes garat me shumë gjasa do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Në një takim me gazetarët drejtuesi më i lartë i Dorna-s Carmelo Ezpeleta sugjeroi që garat në Çmimin e Madh të Çekisë dhe Austrisë të ruajnë datat e parashikuara, për t’u zhvilluar pra rregullisht në muajin gusht.

Plani i Ezpeleta-s është që Kontinenti i Vjetër të presë 10 ose 11 gara nga kampionati botëror i motoçiklizmit. Sipas këtij projekti e njëjta strategji mund të ndiqet gjithashtu edhe me Çmimin e Madh të Katalunjës dhe plani është që në Cirkuitin e Barcelonës në Montmelo garat të zhvillohen sërish njëra pas tjetrës, pra në dy fundjava rresht. Bosi i Dorna-s rrëfeu se asgjë nuk ka për të qenë e qartë deri në muajin shtator, në lidhje me një datë të mundshme se kur mund të përfundojë edicioni i sivjetshëm, për arsye të udhëtimeve të kufizuara për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. Shumë do të influencojë gjithashtu edhe koha kur do të vendoset për lehtësimin e masave që janë përcaktuar për të respektuar distancimin fizik, sidoqoftë një ide më e qartë fillimisht mund të krijohet që në fundin e muajit maj, kur pritet që të dalë në dritë edhe kalendari paraprak i edicionit të 72 të kampionatit botëror të motoçiklizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat