Pandemia e koronavirusit influencon sërish kampionatin botëror

Formula 1

Pandemia e koronavirusit influencon sërish kampionatin botëror

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:34
Pandemia e koronavirusit influencon sërish kampionatin botëror

Pandemia e koronavirusit influencon sërish kampionatin botëror të Formulës 1. Edicioni i 72-të i botërorit të Formulës do të fillojë një javë më vonë, nga sa ishte programuar fillimisht në kalendarin paraprak, për shkak të masave të forta shtrënguese që vazhdojnë të kenë dy vende si Australia dhe Kina.

Dihet historikisht se gara hapëse e sezonit në këtë kompeticion është pikërisht ajo e Çmimit të Madh të Australisë, e në fakt drejtuesit më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit kishin përcaktuar datat nga 19 – 21 mars për të startuar edicionin e ri të këtij aktiviteti, sidoqoftë duke parë situatën aktuale dhe përshkallëzimin e pandemisë së koronavirusit apo qoftë edhe lëvizjet e kufizuara nga njëri vend në tjetrin krerët më të lartë të FIA-s vendosën që të shtyjnë jo vetëm Çmimin e Madh të Australisë, por gjithashtu edhe garën e Çmimit të Madh të Kinës.

Si Australia ashtu edhe Kina kanë vendosur masa shumë të rrepta dhe një protokoll tepër të fortë ndaj të gjithë personave me kombësi të huaj që hyjnë në territoret e tyre. Etapat në Melbourne dhe Shanghai ishin programuar fillimisht në kalendar për t’u zhvilluar respektivisht si gara e parë dhe e tretë e sezonit, megjithatë pas shtyrjes së tyre edicioni i 72-të i botërorit të Formulës 1 do të nisë kështu më datë 26 mars në Sakhir, me provat e lira, pikërisht me Çmimin e Madh të Bahreinit, që përfaqësonte paraprakisht garën e dytë të vitit 2021.

Nga datat 19-21 mars Çmimi i Madh i Australisë do të shtyhet me plot tetë muaj, për t’u zhvilluar në datat 19-21 nëntor, ndërkohë është shtuar një garë në Imola, në Autodromin Ndërkombëtar Enzo e Dino Ferrari, kështu që Italia do të ketë privilegjin për të pritur garën e dytë sezonale nga data 16 deri më 18 prill.

I kënaqur, Presidenti i Formulës 1, Stefano Domenicali deklaroi se pavarësisht këtyre ndryshimeve numri i garave për këtë sezon do të mbetet i pandryshuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat