Deri në 55 milionë dollarë, ja sa paguan çdo cirkuit për Formulën 1

Formula 1

Deri në 55 milionë dollarë, ja sa paguan çdo cirkuit për Formulën 1

Më: 28 janar 2022 Në ora: 16:01
Deri në 55 milionë dollarë, ja sa paguan çdo cirkuit për Formulën 1

Formula 1 mbetet një nga sportet me të pasura, ku qarkullojnë shuma të jashtëzakonshme parash. Në Botërorin 2022 parashikohen që të zhvillohen gjithsej 23 gara, shifra më e larta e regjistruar ndonjëherë.

Kjo do të shënojë edhe përfitime marramendëse për kategorinë më të lartë të automobilizmit, që do t’i mbushë arkat si kurrë më parë. Në këtë speciale, le t’i hedhim një vështrim se cilat janë shumat financiare që do t’i paguajë çdo cirkuit Formulës 1.

Çmimi i Madh i Montekarlos, pozicionohet në vendin e fundit, teksa kuota që paguhet për garën është 15 milionë dollarë. Principata e ka pasur kontratën deri në vitin 2021, por ajo do të jetë e pranishme në F1 edhe në këtë edicion. Emilja Romanja ka një kontratë deri në vitin 2025 me Formulën 1, ndërsa për çdo event të organizuar në Imola duhet të derdhë 20 milionë dollarë.

Cirkuiti francez Lë Kastelet, i cili ka një marrëveshje deri në vitin 2022 me Formulën 1, paguan 22 milionë dollarë. SpaFrankoshamps e Belgjikës, me kontratë deri në vitin 2022, paguan gjithashtu 22 milionë dollarë. Çmimi i Madh i Spanjës do të jetë pjesë e F1 deri në vitin 2026, ndërsa shuma për çdo event është 25 milionë dollarë.

Pista Spilberg e Austisë ka kontratë edhe për vitin 2022, ku do të paguajë shumën e 25 milionë dollarëve. Çmimi i Madh i Britanisë do të jetë pjesë e Botërorit deri në vitin 2024, ndërsa për çdo event që mbahen në Silverston, cirkuiti paguan 25 milionë dollarë. Të njëjtën shifër parash deri në vitin 2024 do të paguajë edhe Çmimi i Madh i Italisë që mbahet në Monza, ashtu sikurse Japonia me cirkuitin e Suzukës, që ka kontratë deri në 2024-ën.

Në vitin 2022 pjesë e kampionatit do të vijojë të jetë edhe Meksika, e cila derdh në arkat e Formulës 1 gjithashtu 25 milionë, po aq sa cirkuiti Austin i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është përsëri pjesë e Botërorit. Deri në vitin 2025 Çmimi i Madh i Brazilit do të vijojë të mbahet në San Paulo, cirkuit që paguan 25 milionë për çdo event.

Kanadaja ka firmosur kontratë deri në 2029- ën dhe për çdo event që do të mbahet në Montreal, kostoja do të jetë 30 milionë dollarë. Më tej vijohet me Holandën, që paguan 32 milionë në vit, deri në 2023-shin. Eventi i Melburnit në Australi e ka koston 35 milionë, po aq sa Çmimi i Madh i Singaporit.

Deri në vitin 2027, Hungaria do të paguajë vlerën e 40 milionë dollarëve, po aq sa Abu Dabi, që e ka kontratën deri në 2030-ën. Bahreini edhe në këtë sezon do t’i mbushë arkat e F1 me 45 milionë. Kina dhe Rusia kanë kontratë deri në 2025, me kosto 50 milionë.

Arabia Saudite dhe Azerbajxhani do të jenë pjesë e Formulës 1 të paktën deri në vitin 2025, ndërsa shuma që do të paguajnë është 55 milionë dollarë. Të njëjtën vlerë e paguan edhe Katari, teksa cirkuiti i Dohas do të jetë në F1 deri në vitin 2031.

Ndërkohë i vetmi cirkuit, që ende nuk e ka të panjohur shumën financiare është Majemi, që do të jetë në F1 deri në vitin 2031.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat