Formula 1 këtë fundjavë do të ketë ndalesën e tretë sezonale

Formula 1

Formula 1 këtë fundjavë do të ketë ndalesën e tretë sezonale

Më: 8 prill 2022 Në ora: 19:39
Sharl Lëklerk

Formula 1 këtë fund javë do të ketë ndalesën e tretë sezonale, teksa mëngjesin e së dielës do të mbahet Çmimi i Madh i Australisë. Pas dy garave të para, në të cilat Ferrari ka bindur se me paraqitje, ashtu edhe me rezultate, “Kokëkuqja” vjen me shumë ambicie në Melburn.

Megjithatë, në skuderinë nga Maranelo të gjithë e dinë se i pret një betejë e fortë, ku si rival kryesor shikohet pa diskutim Red Bulli.

Në prag të këtij eventi të rëndësishëm janë prononcuar edhe dy pilotët e Ferrarit.

“Në dy garat e para kemi parë lojë strategjike me sistemin Drs dhe këtë gjë duhet të presim edhe në Australi. Madje, mendoj se këtu do ta shikojmë edhe më shumë, pasi çdo pjesë e drejtë e pistës ka vend për përdorimin e sistemit DRS, kështu që duhet të garojmë në mënyrë shumë inteligjente”, u shpreh Sharl Lëklerk në një intervistë të dhënë për “Sky Sport” në prag të Çmimit të Madh të Australisë.

Më pas, monegasku foli edhe për konkurrencën me Red Bullin, duke evidentuar shpejtësinë e madhe të rivalëve: “Në këtë moment jemi më pak të shpejtë se Red Bulli dhe duhet që të bëjmë një garë të zgjuar në përdorimin e sistemit DRS”.

Më tej, Lëklerk flet edhe për formatimin e ri të pistës në Melburn: “Ndryshimet e kanë bërë cirkuitin shumë më të shpejtë. Ndershmërisht për ne ndoshta ishte më mirë pista e vjetër, por nuk mund të bëjmë asgjë. Ajo që duhet të realizojmë është që të përmirësojmë paketën dhe të japim maksimumin. Më pas në Imola do të kemi një cirkuit që i përshtatet më shumë skuadrës sonë”, deklaroi Sharl Lëklerk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat