Piloti spanjoll i del në mbrojtje Hamiltonit

Formula 1

Piloti spanjoll i del në mbrojtje Hamiltonit

Më: 3 maj 2022 Në ora: 18:40
Piloti spanjoll i del në mbrojtje Hamiltonit

Fitore në seri dhe re korde të shumta, kështu Luis Hamilton dhe Mercedesi arritën perfeksionin nga viti 2014 deri në 2020-ën. Por sot në pistë ka mbetur vetëm hija e asaj njëvendëshe dominuese me 7 tituj (6 Hamilton dhe 1 Rozberg), apo tetë trofeve për konstruktorë radhazi.

Momenti më zhgënjyes ishte ai vend i 13-të nga Luis Hamilton në garën e fundit në Imola, me britanikun madje që u kalua për herë të dytë nga Maks Vershtapen. Ishte pikërisht holandezi i Red Bullit, ai që i dha fund një sezon më parë edhe mbretërimit të Hamiltonit në Formulën 1. Por cilat janë shkaqet e dështimit të Mercedesit?

Nëse për Niko Rozberg fajtor është Luis Hamilton, për Fernando Alonson mungesa e rezultateve ka ardhur për shkak të makinës së re W13. Kështu është rihapur edhe një herë debati i famshëm, nëse në F1 ka më shumë rëndësi makina apo piloti?!

MERITAT – Fernando Alonso, dy herë kampion bote dhe ish-shok skuadre me Luis Hamiltonin te MekLaren në vitin 2007, është i bindur se makina ka një rol thelbësor. “Luis po drejton shumë mirë, por kjo nuk mjafton. Kështu ka funksionuar gjithmonë në Formulën 1”, shprehet Alonso.

Sipas spanjollit, makina Mercedes që tashmë po e penalizon Hamiltonin, ka qenë edhe çelësi i fitoreve në sezonet e kaluara. “Kur Airton Sena dominonte, kishte makinën më të shpejtë. E njëjta gjë vlen edhe për mua apo Majkëll Shumakerin, si dhe për Luis Hamiltonin, që ka thyer çdo rekord për pilotë me ‘pole position’ dhe fitore falë një makine superiore”, shprehet Alonso.

DOMINUES TË RINJ – Për të gjetur Luis Hamiltonin kaq larg vendeve të para duhet që të rikthehemi në vitin 2013, në sezonin e parë të britanikut me Mercedesin. Njësoj si atëherë edhe në këtë edicion, Ferrari dhe Red Bulli janë dominuese.

Kjo dyshe, sipas Alonsos, do të bëjë ligjin deri në fund të sezonit. “Në këtë moment nuk ka garë. Është njësoj si me Luis Hamiltonin në të shkuarën, ku edhe pse mund të nisej i fundit e arrinte pa shumë problem podiumin”.

Me pak fjalë edhe Fernando Alonso është i mendimit se ky kampionat do të shoqërohet deri në fund nga dueli Sharl Lëklerk – Maks Vershtapen, me pilotët e tjerë që do të jenë thjesht spektatorë të kësaj sfide interesante.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat