Vodhën orën 2 milionë euro të Leclerc, e shitën në Spanjë për shifrën qesharake

Formula 1

Vodhën orën 2 milionë euro të Leclerc, e shitën në Spanjë për shifrën qesharake

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 12:03
Vodhën orën 2 milionë euro të Leclerc, e shitën në Spanjë për shifrën qesharake

Pak muaj më parë bëri bujë lajmi i vjedhjes së orës me vlerë 2 milionë euro i pilotit monogask të Ferrari, Charles Leclerc. Ngjarja ndodhi në Viareggio (Itali) pak ditë para garës në Imola. Një orë origjinale, e personalizuar, ku ndodhej edhe firma e vetë pilotit të “kokëkuqes”.

Ka qenë pikërisht kjo firmë që ka bërë që vlera e orës në tregun e zi të zhvlerësohej ndjeshëm. Hajdutët e njohur për vjedhje të tilla ishin nga Napoli, ku dhe ora e shtrenjtë ka qëndruar për disa muaj, deri në momentin që është shitur te një person ende anonim në Spanjë.

Ora “Richard Mille Rm 67-02” është shitur për vlerën e 200 mijë eurove, pra 10 herë më lirë.

Sipas mediave italiane, hajdutët fillimisht kanë festuar për vjedhjen dhe kanë tentuar që ta shesin orën për shumën e 1 milionë euro, por kanë dështuar. Ndaj, janë “kënaqur” me 200 mijë euro, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

Hajdutët ia vodhën orën pilotit duke përdorur një teknikë të vjetër. Fillimisht i kërkuan të bëjnë një foto, si fans dhe më pas ia morën nga pulsi i dorës, duke ikur me vrap. Të kota përpjekjet për t’i ndalur, ndërkohë që policia ka përdorur persona të infiltruar për të zbuluar hajdutët napoletanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat