Çmimi i Madh në Francë

Formula 1

Çmimi i Madh në Francë

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 11:46
Çmimi i Madh në Francë

Dueli Red Bull-Ferrari me pilotët e tyre Max Verstappen dhe Charles Leclerc këtë fundjavë është zhvendosur në Francë.

Në provat zyrtare Leclerc ishte superior dhe në garën e së dielës do të startojë nga Pole Position teksa disa metra pas tij është Kampioni i Botës në fuqi, Verstappen me holandezin që do të provojë të sulmojë menjëherë pilotin e Ferrarit.

Pista e Paul Ricard jep mundësinë e shumë parakalimeve teksa konsiderohet si një nga më të shpejtat e kalendarit teksa në shumë raste edhe kthesat janë nga ato në të cilat pilotët i marrin duke përdorur minimalisht frenat. Gjithsesi, kjo anë ka edhe rrezikun e vetë pasi në rast të një gabimi, atëherë rrezikohet një aksident i rëndë.

Jo më kot, pista është e pajisur me disa shtresa në ngjyrë blu dhe të kuqe të cilat shërbejnë pikërisht për të ulur shpejtësinë e makinës që del jashtë trajektores pasi në këtë pistë mungon zhavorri i zakonshëm. Saktësisht, vijat blu janë ato të cilat e ngadalësojnë më lehtë makinën, ndërsa të kuqet kanë një impakt më të madh në bllokimin e gomave.

Ndërkohë, ngjyrat kanë krijuar jo pak polemika mes pilotëve të cilët nuk janë fansa të mëdhenj pasi ngatërrohen, një episod që i ka ndodhur Sebastian Vettel në vitin 2018.

Gjithsesi, organizatorët janë të detyruar të veprojnë në këtë mënyrë për të evituar rreziqet e larta. Cirkuiti Paul Ricard ka debutuar në botën e Formula 1 në vitin 1972 dhe gjithsej ka 15 kthesa ndërsa gjatësia e pistës është 5.842 metra. Ndërkaq, kjo mund të jetë edhe hera e fundit që garohet në Paul Ricard duke qenë se në vijim kalendari i Formula 1 do të zgjerohet me Las Vegasin dhe Kinën dhe vështirë se mund të rezervohet një vend për pistën franceze, kontrata e së cilës skadon pikërisht në vitin 2022.

Kujtojmë se garën e së dielës, mund ta ndiqni në RTSH nëpërmjet platformës Digitalb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat