Verstappen shënon suksesin e shtatë në Francë!

Formula 1

Verstappen shënon suksesin e shtatë në Francë!

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 17:49
Verstappen shënon suksesin e shtatë në Francë!

Charles Leclerc gabon përsëri, ndërkohë që Max Verstappen triumfoi në Çmimin e Madh të Francës, duke regjistruar suksesin e shtatë në kampionatin e Formula 1.

Piloti i Ferrarit u nis shumë mirë, ruajti vendin e parë, por gaboi fatalisht në xhiron e 18-të. 24-vjeçari nga Montecarlo humbi kontrollin e makinës në kthesën e 11-të.

Goma e majtë i ishte konsumuar, ndërkohë që Leclerc shtypi gazin përpara kohe, duke përfunduar jashtë piste dhe duke humbur një shans të artë.

Verstappen përfitoi dhe piloti holandez i RedBull e mbylli garën në vend të parë. Më pas Lewis Hamilton (Mercedes), i cili bëri një nisje shumë të mirë dhe përfundoi i dyti në garën numër 300 në karrierë.

Podi u kompletua nga George Russell, piloti tjetër i skuderisë Mercedes. Garë fantastike bëri Carlos Sainz. Spanjolli i Ferrarit u nis i fundit pasi ndërroi motorin në provat zyrtare.

Pavarësisht penalitetit, 27-vjeçari nga Madridi ia doli ta mbyllë Çmimin e Madh në vend të pestë, ndërkohë që sipër tij u rendit meksikani Sergio Perez (RedBull).

Kampionati vazhdon të kryesohet nga Max Verstappen. Holandezi ka grumbulluar 233 pikë, teksa ndiqet nga Leclerc me 170 pikë. Më pas vijnë Perez (163) dhe Sainz (144). Hamilton, i cili është në kërkim të fitores së parë sezonale, renditet i gjashti me vetën 127 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat