Leclerc nuk dorëzohet: Kur gabon të hedhin poshtë

Formula 1

Leclerc nuk dorëzohet: Kur gabon të hedhin poshtë

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 19:40
Leclerc

63 pikë larg Max Verstappen kur kanë mbetur edhe 10 gara nga fundi i Botërorit të Formula 1. Megjithatë, një diferencë e tillë duket se nuk e tremb Charles Leclerc që vijon të besojë se mund të jetë ai që do të triumfojë në fundin e këtij kampionati.

Piloti monegask gaboi në mënyrë fatale në Çmimin e Madh të Francës duke dalë jashtë piste teksa ishte në kryesimin e garës, një gafë të cilën do të kërkojë ta rikuperojë në Çmimin e Madh të Hungarisë këtë fundjavë në pistën e Hungaroring. 24-vjeçari shprehet se nuk do të ndryshojë stilin e të pilotuarit ndërsa shtoi se e di shumë mirë sa vlen pavarësisht kritikave të marra së fundmi.

“Nuk do ta ndryshoj stilin e të pilotuarit dhe do të vazhdoj të garoj në limite sepse diçka e tillë më ka bërë të fitoj në garat e kaluara.

Në fillim të vitit nuk dija ta menaxhoja makinën, por jam përmirësuar dhe dua të shtyj në maksimum sepse ka shumë përfitime. Unë jam një pilot dhe kjo është ajo që duhet të bëj, ndoshta në garën e fundit e teprova dhe më pas dola nga pista.

Megjithatë, ndjehem se jam gati për të fituar kampionatin. Nëse shohim këtë pjesë të parë të sezonit, atëherë besoj se jemi dakord që ka qenë pjesëmarrja ime më e mirë në Formula 1 dhe kam hedhur hapa përpara. Gabimet si ai në javën e kaluar tregojnë se kam ende rrugë, por unë e di sa vlej. Kur bën gafa të gjithë të hedhin poshtë, por nuk ka problem, është pjesë e profesionit”, përfundoi Leclerc.

Vlen të theksohet se një pilot i Ferrarit nuk fiton një kampionat Botëror prej vitit 2007, një arritje që i mbetet Kimi Raikonnen ndërsa kujtojmë se garën e së dielës në pistën e Hungaroring mund ta ndiqni në RTSH përmes platformës Digitalb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat