Grashtica 2022, pritet të jetë "e nxehtë"

Formula 1

Grashtica 2022, pritet të jetë "e nxehtë"

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 23:17
Grashtica 2022

Konkurrenca e fortë dhe synimi për renditje sa më të mirë në plasmanin përfundimtar, si në konkurrencën individuale, ashtu edhe në atë ekipore, bën që gara e radhës në disiplinën malore, e katërta për kampionatin e sivjetmë, e cila mbahet në këtë fundjavë, në Grashticë të pritet me interesim të madh.

Po ashtu, duke marrë parasysh që është gara e vetme e disiplinës malore që mbahet në afërsi të Prishtinës, është rast i mirë që kryeqytetasit gjatë dy ditëve të fundjavës të kënaqen me atraksionet që ofrojnë garuesit e kësaj disipline.

Klubi organizator, Prishtina Racing Team, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës, i kanë bërë përgatitjet e duhura me synimin që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë.

Që nga e shtuna në orën 09:00 kur fillon paraqitja në garë e deri të dielën pas shpalljes së fituesve, zyrtarët por edhe garuesit pritet të japin maksimumin në mënyrë që gjithçka të rrjedhë dhe përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Përveç rëndësisë së pikëve, këtë herë gara ka edhe karakter memorial, pasi do të përkujtohet ish-anëtari i AK Prishtina Racing Team, Ard Selimaj, i cili dhjetë vjet më parë pati humbur jetën tragjikisht. Ardi ishte djali i anëtarit dhe veteranit të Prishtina RT, Armend Selimaj.

Organizatori kërkon mirëkuptim nga kalimtarët e rastit, të cilët gjatë kohës së garës kanë planifikuar të udhëtojnë në aksin rrugor nga Grashtica në drejtim të pikës kufitare në Mutivodë, pasi do të duhet të presin në intervale të caktuara kohore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat