Një garë kokë më kokë për vendin e fundit bosh në F1

Formula 1

Një garë kokë më kokë për vendin e fundit bosh në F1

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 14:10
Një garë kokë më kokë për vendin e fundit bosh në F1

Pothuajse gjithçka është përcaktuar për sa i përket pilotëve që do të jenë në startin e sezonit 2023 në Formula 1. Për t’u përcaktuar edhe vetëm emri i pilotit të dytë te makina amerikane Haas, që ka konfirmuar vetëm danezin Kevin Magnussen.

Sipas shefit të makinës amerikane Gunther Steiner, emri i pilotit të dytë do të dalë nga dueli “kokë më kokë” mes gjermanëve Mick Schumacher e Nico Hulkenberg. Me shumë gjasa do të jetë ky i dyti, pasi për djalin e 7 herë kampionit të botës duket se ka ardhur fundi i aventurës me skuadrën amerikane.

Gjithsesi, Steiner tha se shanset janë 50-50 për të dy pilotët: “Mick bëri një garë të mirë në Monza dhe shanset janë 50 me 50 për të qëndruar. Nuk kam asnjë presion në këtë drejtim dhe nuk kemi nevojë që dikush të na bëjë presion, pasi do të ishte një bomerang për pilotin”.

Në dy garat e mbetura, Mick duhet të bëjë sa më shumë pikë, nëse është e mundur, që të qëndrojë. “Në garat e fundit ka gjetur vijueshmëri në rezultate edhe pse arritja  në zonën e pikëve nuk është kusht i domosdoshëm. Ne duam të bëjmë zgjedhjen e duhur për skuadrën tonë, duke parë në një plan afatgjatë kohor. Gjithsesi, jemi pranë një vendimi”, tha Stainer.

Gjasat janë që Mick Schumacher të “hapë krahun” dhe të kalojë te skuadra Audi, me të cilin mund të rikthehet në Formula 1 në vitin 2026. Audi ka blerë kuotat e Sauber dhe do të debutojë atë sezon. Ndërsa 35-vjeçari Hulkenberg pritet të nënshkruajë një kontratë 1-vjeçare me Haas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat