Pas një muaji pushimi, makinat e Formulës 1 kanë ndezur motorët për pjesën e dytë të Botërorit 2025, teksa dje zbritën në cirkuitin Zandvort për provat e lira të Çmimit të Madh të Holandës.
Një ditë që u shënuar nga dominimi i makinave MekLaren, të cilat pasi komanduan në sesionin e parë, mbetën në krye të renditjes së kohëve edhe në sesionin e dytë.
Mes dy makinave “papaja” të Lando Norrisit dhe Oskar Piastrit në sesionin e dytë u fur Aston Martini i Fernando Alonsos, i cili shënoi kohën e dytë më të shpejtë, vetëm 87 mijtat pas liderit Norris. Ky i fundit konfirmon formën e mirë të sesionit të parë, duke regjistruar kohën 1 minutë, 9 sekonda e 890 mijtat. Spanjolli Alonso lë pas për vetëm dy mijtat Piastrin, i cili kryeson klasifikimin e përgjithshëm.
Xhorxh Rasëll renditet i katërti (+0.384), me pilotin britanik të Mercedesit që u detyrua të frenojë fort në zonën e bokseve për të shmangur një kontakt me MekLarenin e Piastrit, i cili ndryshoi papritur drejtimin gjatë manovrës së parkimit. Incidenti u hetua nga Drejtoria e Garës, e cila vendosi një gjobë prej 5 mijë eurosh ndaj skuadrës për mungesë udhëzimesh të qarta ndaj pilotit australian. Maks Vershtapen vazhdon të mbetet larg pritshmërive, duke u renditur vetëm i pesti, me një diferencë prej 588 mijtash nga kreu.
Ferrari bën një hap përpara pas një sesioni të parë zhgënjyes: pavarësisht një tjetër rrotullimi (i dyti brenda ditës, një “360°” i plotë por i padëmshëm) për Luis Hamiltonin, i cili mbyll sesionin në vendin e gjashtë, me një diferencë prej 848 mijtash nga koha më e mirë. Sharl Lëklerk regjistroi kohën e tetë, ndërsa ndërmjet tij dhe Hamilton ishte Red Bulli i Juki Tsunodas. Megjithatë, diferenca e Lëklerkut nga Norris ishte thuajse një sekondë e plotë (944 mijtash). Franko Kolapinto me makinën Alpine dhe Niko Hulkenberg me Sauber kompletuan dhjetëshen e parë.
Andrea Kimi Antoneli u rendit i dymbëdhjeti, duke treguar ende vështirësi për t’u përshtatur me asfaltin e pistës Zandvort, por gjithsesi u përmirësua krahasuar me sesionin e parë ku ishte i fundit me Mercedesin e tij. Sesioni i dytë i provave, që mbylli ditën e parë të fundjavës në Holandë, u ndërpre dy herë me flamur të kuq: fillimisht për shkak të një aksidenti të Lans Strollit me Aston Martinin në kthesën 3, si dhe në fund për shkak të një daljeje nga pista të Aleksandër Albon në kthesën e parë.
Për fat të mirë, asnjë pasojë fizike për dy pilotët, por dëme të mëdha në pjesën e djathtë të makinës AMR25 të pilotit kanadez. Për sa i përket axhendës, fundjava holandeze do të vijojë sot në orën 11:30 me sesionin e tretë të lirë, ndërsa në orën 16:00 do të zhvillohet provat zyrtare. Çmimi i Madh do të startojë të dielën në orën 15:00.