Misteri i rënies së Piastrit është shoku i skuadrës

Formula 1

Misteri i rënies së Piastrit është shoku i skuadrës

Më: 30 tetor 2025 Në ora: 11:30
Piastri

Çfarë po ndodh me Os kar Piastrin?

E vësh tirë të kuptohet nga jashtë, por është e sigurt që te MekLareni e dinë shumë mirë. Fytyra e tij mbetet e pandryshueshme, pothuajse e ftohtë, edhe kur ngre trofeun e fituesit në podium, gjë që për ta thënë të vërtetën, nuk po ndodh prej gati dy muajsh: që nga gara e Holandës 31 gusht.

Plaga është e hapur dhe ende dhemb.

Nga Monza deri në Meksiko Siti, ish-lideri i renditjes në botërorin e Formulës 1 e ka humbur të gjithë avantazhin, madje edhe një pikë më shumë, nga 34 pikët e epërsisë që kishte ndaj Lando Norris, pas Holandës.

Aty ku Norris u detyrua të ndalonte për shkak të një problemi teknik. Bilanci i pesë garave të fundit është i pamëshirshëm: 47 pikë për Piastrin, 82 për Norrisin, ndërkohë që në të njëjtën periudhë, Maks Vershtapen ka mbledhur plot 116 pikë. Duke qëndruar te pilotët e MekLarenit, Lando ka rikuperuar të gjitha 34 pikët e humbura pas Zandvortit dhe madje ka kaluar 1 pikë përpara shokut të skuadrës.

Natyrshëm lind pyetja se çfarë mund të ketë ndodhur me Piastrin? Ndoshta më mirë duhet ngritur një tjetër pyetje, se çfarë ka ndodhur me Norrisin. Lando ka insistuar pas “Grand Prix”-it të Singaporit për ndryshime në rregullimet e “MCL39”, në mënyrë që makina të përshtatet më shumë me stilin e tij të drejtimit, që është më instinktiv, ndryshe nga ai i Piastrit, më i saktë dhe më “i pastër”. Dhe ekipi, me sa duket, e ka dëgjuar.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Oskari duhet të përpiqet të përshtatet sa më shpejt, përndryshe rrezikon të humbasë përfundimisht shanset për titull, të cilat për momentin janë ende të gjalla, në pritje të garës vendimtare të Brazilit në fundjavën e dytë të nëntorit. “Për një arsye apo tjetër, dy fundjavat e fundit kanë kërkuar një mënyrë drejtimi shumë ndryshe. Ajo që ka funksionuar për mua në 19 garat e para, papritur nuk po funksionon më, dhe të kuptosh pse ka qenë e vështirë. Në Meksikë provova disa gjëra të reja, sepse mënyra si kam qenë i detyruar të drejtoj kohët e fundit nuk më vjen natyrshëm”, u shpreh Piastri.

Nuk është se MekLaren ka zgjedhur të favorizojë Norrisin në garën për titull, kjo s’do të kishte kuptim, duke qenë se mund të luajë me dy karta kundër një Red Bulli të vetëm. Megjithatë, është e mundur që skuadra britanike të ketë vendosur të ndjekë drejtimin e Landos për konfigurimin bazë të makinës, tashmë që zhvillimi i saj është përfunduar. Arsyeja? Sepse objektivi i titullit të konstruktorëve është arritur dhe sepse jemi në prag të një epoke të re në aspektin teknik.

Kombinimi i këtyre faktorëve ka vënë Piastrin në vështirësi për gati dy muaj, dhe ndjesia (që është thuajse siguri) është se problemi nuk lidhet me preferencat për ndonjë pistë, por me nevojën që australiani të bëjë një “reset” total dhe të përshtatet me atë që kërkon tani makina “MCL39” për të arritur potencialin maksimal të saj dhe për të mbajtur larg Vershtapenin e Red Bullit, si dhe përpjekjet e Ferrarit e Mercedesit për podium.

E vërteta është se finesa e një kampioni qëndron edhe në këtë aftësi për t’u përshtatur. Tani i takon Oskar Piastrit të tregojë nëse e ka këtë cilësi në masën e duhur për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat