Nuk është aspak e zakonshme që një furnizues motorësh të organizojë festën e vet përpara nisjes së sezonit të Formula 1, me kampionatin që starton më 8 mars në Melburn.
Një veprim i tillë mund të tingëllojë pretencioz nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, aq më tepër kur prezantimi ndodh para hyrjes në fuqi të rregullores së re të vitit 2026, e frikshme dhe njëkohësisht e shumëpritur për Formulën 1.
Por Honda e ka shumë seriozisht. Partneriteti i saj me Aston Martin u kurorëzua me një prezantim plot optimizëm të “RA626H”, njësisë së fuqisë që do të përdorin Fernando Alonso dhe Lans Stroll në makinën “AMR26”. Mesazhi ishte i qartë: “Duam të jemi numri 1”. Në një event madhështor në Tokio nuk mungoi pothuajse askush. Të pranishëm ishin CEO i Aston Martin, Laurens Stroll, Andi Kouell në rolin e ri si shef strategjie, drejtuesit më të lartë të Hondës me presidentin Toshihiro Mibe në krye, si edhe krerët e Formula 1, përfshirë Stefano Domenikalin, CEO dhe president i kampionatit.
Ishte një ngjarje e veçantë, ku Honda shfrytëzoi rastin për të prezantuar edhe logon e saj të re, përkrah njësisë së fuqisë. Ana aerodinamike e projektit do të jetë përgjegjësi e Adrian Njueit, një tjetër shtyllë kyçe e ambicies së Aston Martin.
“RA626H” u prezantua si një motor i ndërtuar për të fituar. Në Aston Martin nuk kanë dilema.
“Jemi të përkushtuar për të ndjekur ekselencën.
Kjo do të thotë të fitojmë gara dhe kampionate”, deklaroi Laurens Stroll.