Shtatë skuadra zbritën në pistë ditën e parë të testeve në Barcelonë, të cilat do të zgjasë deri të premten, më 30 janar.
Të parat që hapën aktivitetin ishin Mercedesi, Red Bulli, Alpine, Racing Bulls, Haas, si edhe skuadrat debutuese Audi dhe Kadillak. Çdo ekip ka në dispozicion maksimumi 3 ditë testimi në asfaltin katalanas.
Të martën, më 27 janar, do të dalin për herë të parë nga bokset edhe njëvendëshet e reja të Ferrarit dhe MekLarenit. Ende i paqartë mbetet programi i Aston Martinit, që pritet të zbresë në pistë vetëm nga e enjtja, dhe për jo më shumë se dy ditë testime, një pengesë jo e vogël për skuadrën e drejtuar nga Adrian Njuei.
Në Barcelonë mungon Uilliamsi (siç ishte njoftuar që të premten e kaluar), pasi “FW48” e Karlos Sainzit dhe Aleksandër Albonit nuk e kaloi testin e përplasjes të FIA-s dhe do t’i bashkohet grupit vetëm në sesionin e parë të dy testeve në Sakhir në muajin shkurt.
Në ditën e parë të aktivitetit, Andrea Kimi Antoneli ishte piloti i parë që doli në pistë me “Mercedes W17”, të cilin më pas ia la shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëllit, pas pushimit të drekës. Antoneli u alternua me Isak Haxharin, i cili debutoi me Red Bullin “RB22”, në krye të renditjes jozyrtare të kohëve. Duhet theksuar se pesëditëshi i Barcelonës zhvillohet me dyer të mbyllura dhe se testet e vetme zyrtare janë ato që do të mbahen në Sakhir në shkurt: nga e mërkura më datë 11 deri të premten më 13 dhe më pas nga e mërkura 18 deri të premten 20.
Në fund të ditës, kohën më të shpejtë e regjistroi Haxhar, i cili falë një përpjekjeje finale, në një sesion pasditeje ku shumë skuadra ishin të përqendruara te simulimet e garës, la pas dy Mercedesët e Rasëllit dhe Antonelit. Piloti franko-algjerian, shok skuadre i Maks Vershtapenit, e ndali kronometrin në 1 minutë, 18 sekonda dhe 452 të mijtat. Për krahasim thjesht orientues, “pole position” i Oskar Piastrit me MekLarenin në kualifikimet e Çmimit të Madh të Spanjës 2025 (në fund të majit) ishte 1 minutë, 11 sekonda dhe 546 të mijtat.
Valteri Botas përmblodhi kështu ditën e tij të parë në timonin e Kadillak-Ferrari, pas një viti 2025 pushimi ku kishte shërbyer edhe si “mentor” për Antonelin: “Prioriteti ynë për momentin është të bëjmë sa më shumë xhiro çdo ditë.
Sot besoj se kam bërë pak më shumë se tridhjetë xhiro, edhe pse disa prej tyre ishin vetëm xhiro instaluese ose diçka e ngjashme.
Duhet të bëjmë më shumë xhiro të vërteta dhe të grumbullojmë kilometra, në mënyrë që të paraqitemi me një paketë të besueshme në garën e parë”, u shpreh Botas.