18-vjeçari bëhet britaniku më i ri debutues me Racing Bulls

Formula 1

18-vjeçari bëhet britaniku më i ri debutues me Racing Bulls

Më: 25 shkurt 2026 Në ora: 19:21
Arvid Lindblad

Arvid Lindblad do të bëhet britaniku më i ri në historinë e Formula 1, pas promovimit nga programi i Red Bull. 18-vjeçari debuton këtë sezon me skuadrën Racing Bulls. Ai është gjithashtu piloti i parë britanik me origjinë indiane që garon në Formula 1.

Arvid Lindblad është gati të shkruajë historinë si britaniku më i ri që debuton në Formula 1. Vetëm 18 vjeç, ai do të garojë këtë sezon me skuadrën Racing Bulls, pasi u promovua nga programi i Red Bull.

Lindblad e mori lajmin gjatë Çmimit të Madh të Katarit vitin e kaluar, kur ish-këshilltari i Red Bullit, Helmut Marko, i konfirmoi vendimin. Një moment që e ndau me të atin, njeriun që e çoi për herë të parë në pistë.

Rrugëtimi i tij ka qenë i shpejtë. Nga karting-u në Formula 4, më pas në Formula 3 dhe Formula 2, duke kaluar çdo kategori vit pas viti. Një ngjitje e rrallë në një sport ku presioni është ekstrem dhe gabimet paguhen shtrenjtë.

Por Lindblad nuk përfaqëson vetëm një rekord moshe. Ai është gjithashtu britaniku i parë me origjinë indiane që garon në F1. I lindur në Surrey, me baba suedez dhe nënë me rrënjë indiane, ai e përshkruan identitetin e tij si një “kombinim të rrallë”, për të cilin ndjehet krenar.

Historia familjare është e fortë: gjyshërit e tij nga ana e nënës u prekën nga ndarja e Indisë në vitin 1947 dhe rindërtuan jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga ana tjetër, i ati vjen nga një fshat i vogël suedez dhe punoi që në moshën 11-vjeçare për të ndërtuar të ardhmen.

Në pistë, drejtuesit e ekipit e përshkruajnë si të shpejtë, kurioz dhe me analiza të pjekura për moshën e tij. Shefi i ekipit, Alan Permane, e vlerëson për shpejtësinë dhe mënyrën si komunikon me inxhinierët.

Debutimi i tij në Australi shënon fillimin e një kapitulli të ri, jo vetëm për Lindbladin, por edhe për përfaqësimin britanik në sportin më të shpejtë në botë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat