Situata e kampionëve në fuqi të Formulës 1 duket e paqëndrueshme në nisjen e sezonit 2026.
Me vetëm 18 pikë në renditjen e konstruktorëve, një vend të katërt në Sprint si rezultatin më të mirë dhe tri tërheqje nga yjet e skuadrës, Lando Norris dhe Oskar Piastri, gjendja është alarmante.
MekLaren dominoi sezonin 2025 me 14 fitore, 34 podiume, 13 “pole position” dhe të dy titujt kampion.
Titulli i konstruktorëve erdhi me dominim absolut, ndërsa Norris theu hegjemoninë e Maks Vershtapenit duke u ngjitur në majë.
Por sezoni 2026 është një histori tjetër dhe sinjalet nuk janë aspak të mira. MekLaren përdor motorë Mercedes dhe paraqitjet në kualifikuese nuk kanë qenë të këqija, por garat kanë ngritur dyshime serioze.
Piastri u përplas me murin në xhiron e ngrohjes në Melburn, duke u surprizuar nga shpërthimi i menjëhershëm i fuqisë elektrike pas një problemi teknik. Ndërkohë, në Kinë, asnjë nga dy makinat nuk arriti të startojë për shkak të problemeve në pjesën elektrike të njësisë së fuqisë. Një “zero e dyfishtë” është goditje e rëndë për çdo kampionat.
KËRKOHEN SHPJEGIME – Në kushte normale, MekLaren mbetet forca e tretë ose e katërt në Formula 1, por dominimi i viteve 2024 dhe 2025 mungon.
Problemi nuk duket të jetë zhvillimi i makinës, pasi projekti i 2026 nisi muaj përpara se të siguroheshin titujt.
Gjithçka duket e lidhur me motorin Mercedes, i cili në teori duhet t’i ndihmojë, por në praktikë nuk po sjell avantazhe të qarta, madje po shkakton edhe probleme.
Që në Melburn, MekLareni konfirmoi se kishte vështirësi me softuerin e njësisë së fuqisë. Ndërkohë, skuadra zyrtare Mercedes nuk përballej me të njëjtin problem dhe arrinte të shfrytëzonte më mirë performancën. Madje, ekzistojnë dyshime se një pjesë e sistemit është mbajtur e rezervuar për makinat e Xhorxh Rasëllit dhe Andrea Kim Antonelit. Në Kinë, situata u përkeqësua edhe më shumë, pasi problemet e besueshmërisë shkatërruan garën e dy pilotëve të skuadrës “papaya”.