Berni Ekleston nuk e ka humbur aspak instinktin e tij. Edhe në moshën 95-vjeçare, njeriu që ndërtoi perandorinë e Formulës 1 vazhdon ta analizojë kompeticionin me një kthjelltësi mbresëlënëse dhe me një sinqeritet që gjithmonë shkakton debat.
Në kulmin e sezonit, britaniku ka bërë të qartë parashikimin e tij për kampionatin botëror dhe nuk lë vend për dyshime, pasi për të do të fitojë ose Kimi Antoneli, ose Maks Vershtapen.
Kjo do të thotë se ai e përjashton Xhorxh Rasëllin nga gara për titull, ndonëse britaniku konsiderohej favorit para nisjes së sezonit.
Edhe pse Mercedes po dominon sërish në pistë, vëmendja nuk është më te piloti që pritej të udhëhiqte skuadrën. Shpërthimi i Kimi Antonelit ka thyer çdo parashikim.
Talenti italian 19-vjeçar ka kaluar nga statusi i një premtimi të madh në realitetin më impresionues të këtij sporti.
Fitorja e tij e tretë radhazi në Majemi jo vetëm që heshti skeptikët, por ktheu entuziazmin në Itali në një kërkesë kombëtare dhe në një pritshmëri globale në “paddock”.
Pas vetëm katër garash, Antoneli ka krijuar një epërsi prej 20 pikësh ndaj Rasëllit, i cili po sheh i pafuqishëm sesi “fëmija i mrekullueshëm” i ka marrë kontrollin emocional dhe teknik të garazhit.
Për Eklestonin, ky ndryshim është i pakthyeshëm.
Veterani britanik beson se italiani ka kapërcyer çdo fazë normale të adaptimit dhe tashmë është gati për fronin e Formula 1.