Shpërthen Alonso: Për çfarë parakalimesh flisni?!

Formula 1

Shpërthen Alonso: Për çfarë parakalimesh flisni?!

Më: 22 maj 2026 Në ora: 15:51
Alonso

Piloti i Aston Martin ngre zërin: Tani ka vetëm manovra evazive.

Normale që Verstappen të shohë diçka tjetër. Formula 1 përfaqëson vetëm 1% të asaj që ofron motorsport.

“Nga 2014-a deri më sot kemi humbur një 10-vjeçar garash të vërteta”. Që Fernando Alonso nuk është një admirues i gjeneratës së re të makinave njëvëndëshe, kjo ishte kuptuar që në testet e para në Bahrejn.

Ai ishte shprehur me bindje se “as shefi i Aston Martin nuk do të ishte në gjendje t’i drejtonte këto makina”.

Edhe në Kanada debati mbi të ardhmen teknike të Formula 1 nuk ndalet. Edhe pse FIA është e orientuar për një shpërndarje më të ekuilibruar mes motorit endotermik dhe komponentit elektrik për 2027-ën, spanjolli mbetet skeptik: “Do ta shikoni, nuk do të ndryshojë asgjë”.

“Na duhet të presim, nuk mund të bëjmë asgjë tjetër, – ka shtuar Fernando Alonso. – ADN-ja e këtyre Power Unit do të jetë gjithmonë e njëjtë. Do të vazhdojë të favorizojë ata që ecin ngadalë në kthesa”.

A është vërtet kështu? Në një farë mënyre po, po të kemi parasysh faktin se makinat e detyrojnë pilotin të ketë vështirësi në gjetjen e ekuilibrit mes kohës “së humbur” me një frenim më të gjatë dhe asaj që rikuperon me energjinë më të madhe të përdorur në pistë të drejtë.

Pra, mjafton një pasaktësi e vogël në përdorimin e baterisë për të humbur disa të dhjeta. Për këtë arsye FIA ka vendosur të bëjë nëj hap prapa, duke synuar një raport 60/40 mes fuqisë termike dhe elektrike për 2027-ën, në krahasim me 50/50 që është aktualisht.

“Më shumë se për parakalime, flasim për manovra evazive – insiston Alonso. – Makina që ke përpara nuk ka bateri dhe papritur humb 500 kuaj fuqi, kështu që ti e eviton.

Kjo është e gjitha. Nga 2014-a kemi humbur më shumë se një 10-vjeçar garash të vërteta. Problemi është se bota e konsideron elektriken si të ardhmen dhe ka zgjedhur këtë rrugë. Por kjo nuk vlen për ne, garat janë diçka krejt tjetër”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat