Gazmend Demolli i Prishtina Racing Team është fitues i garës së parë në disiplinën malore për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës, e cila u mbajt këtë fundjavë në Grashticë.
Demolli me Mitsubishi Evo 9, shtegun me gjatësi prej 3 kilometrave e kaloi për 01:36.001 dhe 01:36.848 minuta (koha e përgjithshme 03:12.849), me shpejtësi mesatare prej 112.004 kilometrave në orë.
“E kam pritur të fitoj sot dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe në garat e ardhshme. Grashtica më shumë më ka shërbyer si ‘nxehje’ për Kullën, Krujën, Brezovicën e garat tjera. Përveç faktit që numri i garuesve nuk ishte i kënaqshëm, sot gjithçka tjetër ishte shumë mirë”, ka thënë Demolli.
I dyti në plasmanin e përgjithshëm sa i përket kampionatit vendor (sipas kohëve të arritura i dyti u rendit garuesi nga Shqipëria, Gentjan Shaqiri) doli Valon Rexhepi i Eurogoma Racing Team.
Valoni me Opel Astra OPC në cak arriti për 01:46.199 dhe 01:43.228 (03:29.247), me vonesë prej 12.789 sekonda në krahasim me fituesin.
Në podium u ngjit edhe Kushtrim Bytyqi i AK Ferizajt, i cili me Renault Clio pati kohë 01:46.181 dhe 01:44.331 minuta.
Në konkurrencën ekipore, AK Prizreni u rendit në pozitën e parë me 60 pikë, pasuar nga AK Ferizaj (55), Prishtina Racing Team (32), Eurogoma Racing Team (15), AK Drenica (15), AK Gjakova 137 (15) dhe AK Kaçandolli me 10 pikë.