Gjatë periudhës së “Virtual Safety Car” në garën e fundit të Formula 1, në Singapor, ekipi i Ferrari i thirri të dy pilotët, Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton, në bokse për të ndërruar gomat, por britaniku preferoi të qëndronte në pistë.
Pas garës, 7 herë kampioni i botës nuk u ndje mirë dhe nuk mori pjesë në aktivitetet me median.
Shefi i ekipit, Frederic Vasseur, deklaroi se Hamilton e kishte humbur hyrjen në bokse, por nga këndvështrimi i tij, ishte e qartë se britaniku donte të ndiqte strategjinë e tij, i bindur se ajo ishte fituesja.
Hamilton dha deklarata të tjera në rrjetet sociale, krahas atyre të publikuara nga Ferrari pas garës së Singaporit. Piloti britanik mori përsipër të gjithë përgjegjësinë për një strategji që bëri që ai të përfundonte në vendin e gjashtë, duke i kushtuar Ferrari shtatë pikë në kampionatin e konstruktorëve.
“Nuk arritëm rezultatin që shpresonim dhe përgjegjësia është tërësisht e imja. Në një pistë ku parakalimi është i vështirë, duhet të provosh diçka ndryshe dhe unë zgjodha një strategji që në fund nuk dha rezultatet e dëshiruara”, tha britaniku.
“Është një mësim i dhimbshëm, por marr përgjegjësinë e plotë për vendimet që mora. Në këtë sport, jo çdo zgjedhje rezulton e suksesshme. Gjithçka ka të bëjë me pranimin e gabimeve dhe gjetjen e mënyrës për të ecur përpara” shtoi ai.
“I jam mirënjohës ekipit për punën që bëjnë çdo fundjavë. Vendi i gjashtë nuk pasqyron ritmin që kishim me makinën dhe, pavarësisht rezultatit, ka gjëra pozitive që mund të nxirren prej tij. Do të vazhdoj të jap maksimumin dhe do të rikthehem për të luftuar në garën e radhës”, deklaroi Hamilton.