Pol Espargaró do ta zëvendësojë Maverick Vinalesin te skuadra KTM Tech3, pasi piloti spanjoll nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Valencias, që zhvillohet këtë fundjavë.
Maverick Vinales nuk do ta ketë mundësinë ta përmbyllë sezonin dhe karrierën e tij në MotoGP në mënyrën që kishte dëshiruar. Piloti nga Roses ka vuajtur prej kohësh nga një lëndim në shpatull, të cilin e pësoi pas një rrëzimi të rëndë në Sachsenring në vitin 2025.
Kështu, karriera e tij në MotoGP do të përfundojë para kohe, duke lënë pas një histori të pasur në garat e motoçiklizmit.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, Vinales e përfundon karrierën me një titull kampioni në Moto3, të fituar në vitin 2013, si dhe me gjithsej 26 fitore, 75 vende në podium dhe 26 pozita të para në nisje të garave.
Vetëm në kategorinë MotoGP, spanjolli regjistroi 10 fitore, 35 podiume dhe 15 pole-position.
Ai ka kaluar plot 16 sezone në Kampionatin Botëror, duke garuar me numrin 12.
Skuadra KTM ka vendosur që në garën e fundit të sezonit, në pistën Ricardo Tormo në Valencia, vendin e Viñalesit ta zërë Pol Espargaró.
Kështu, Tech3 do të paraqitet në këtë garë me dyshen Pol Espargaro dhe Enea Bastianini.
Drejtori i skuadrës Tech3, Nicolas Goyon, ka shprehur keqardhje për mungesën e Vinalesit.
“Maverick nuk do të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Valencias. Është vërtet për të ardhur keq. I gjithë ekipi Tech3 do të kishte dëshiruar ta shihte Maverickun përsëri në motoçikletën tonë në garën e fundit të kampionatit 2026, duke i dhënë mundësinë të zhvillonte një garë lamtumire me skuadrën.
Fatkeqësisht, gjërat nuk kanë shkuar sipas planit këtë sezon. Prandaj, Pol do ta zërë vendin e tij dhe do ta drejtojë motoçikletën tonë Tech3 në garën e fundit të sezonit. E falënderojmë që edhe një herë i doli në ndihmë skuadrës”, deklaroi Goyon.
Piloti spanjoll e mbyll sezonin 2026 me vetëm 12 gara të përfunduara në Çmimet e Mëdha.
Rezultati i tij më i mirë ishte vendi i 11-të në Barcelonë, ndërsa para garës së fundit të kampionatit renditet në pozitën e 23-të në klasifikimin e përgjithshëm, me vetëm 17 pikë.
Kështu, një lëndim i rëndë ia ndërpreu para kohe sezonin dhe i dha fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së Maverick Vinalesit në MotoGP.