Krizë te Ferrari

Formula 1

Krizë te Ferrari

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 12:55
Charles Leclerc dhe shefi i ekipit të Ferrarit, Fredéric Vasseur (foto nga arkivi).

Përplasja mes dy pilotëve të Ferrarit shënon pikën më të ulët të një fundjave të dështuar për skuderinë italiane. Shefi i ekipit është tejet i zemëruar.

Një përplasje mes dy makinave të Ferrarit ka nxjerrë në pah tensionet e mëdha brenda skuadrës. Shefi i ekipit, Frederic Vasseur, ka folur hapur për situatën e krijuar mes Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton.

“Gjatë dy apo tri garave të fundit, situata mes të dyve është bërë e pakontrollueshme”, deklaroi francezi pas Çmimit të Madh të Las Vegasit.

“Presioni po rritet dhe situata është shumë më e keqe sesa ishte para 18 muajsh”, theksoi Vasseur. Ai shtoi se mes Leclerc dhe Hamilton po vëren “mungesë të mirëkuptimit të ndërsjellë”.

Të dy pilotët garojnë së bashku për Ferrarin që nga fillimi i vitit 2025.

Përgjegjësinë për përplasjen në Las Vegas e mbajti Charles Leclerc. Vasseur e kritikoi ashpër pilotin nga Monako.

“Është krejtësisht e papranueshme që gara të shkatërrohet në këtë mënyrë”, deklaroi ai.

Menjëherë pas përfundimit të garës, shefi i Ferrarit e thirri Leclercin për një bisedë.

“Charles, dua të të takoj menjëherë pas garës”, dëgjohej Vasseur duke i thënë pilotit përmes radios së ekipit.

Në intervistat pas garës, Leclerc shprehu keqardhje për incidentin.

“Kam marrë një penalizim prej 10 sekondash dhe, me sa duket, unë kam qenë fajtori në këtë incident. E pranoj këtë”, deklaroi piloti nga Monako.

“Ndihem shumë keq. U përpoqa të isha i kujdesshëm, por duket se nuk kishte më hapësirë për të kaluar”, shtoi ai.

Me vendet e shtata të Lewis Hamiltonit dhe të dhjeta të Charles Leclercit, Ferrari arriti të grumbullojë vetëm shtatë pikë në renditjen e konstruktorëve.

Ndërkohë, rivali Red Bull përfitoi nga fitorja e Max Verstappenit, duke fituar 18 pikë ndaj Ferrarit dhe duke ruajtur ende shanset matematikore për ta përfunduar kampionatin në vendin e dytë.

Mungesa e podiumit ishte përmbyllja e një fundjave zhgënjyese për skuderinë italiane.

Problemet për Ferrarin kishin nisur që në kualifikime, ku as Charles Leclerc dhe as Lewis Hamilton nuk arritën ta kalonin fazën e dytë (Q2).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat